Pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për caktimin Arian Ahmetit ushtrues detyre i kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), është shuar komisioni disiplinor përmes vendimit të parë të lëshuar nga ai.
Ballkani.info e ka siguruar këtë vendim i cili mban datën 19 gusht 2024 dhe në të thuhet: Shfuqizohet Vendimi me nr.628/X/2023 u datës 11.01.2023 me numër protokollit 3672 dhe Vendimi me nr.295/VIII/2024 i datës 07.08.2024 me numër protokollit 2519/2.
Ky vendim është nënshkruar nga Arian Ahmeti.

Burime të Ballkani.info thonë se marrjes së këtij vendimi i ka paraprirë vizita e Sekretarit të Përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi në zyrë e U.D Kryeshefit të AKPPM-së, Arian Ahmeti.
Burimet tona bëjnë të ditur se kjo vizitë është bërë për t’i dhënë “instruksionet” që të “shpëtohet” Sulltane Havolli si e proceduar ditë më parë nga Mbikëqyrësi i drejtpërdrejt i saj për shkelje të rënda disiplinore me elemente të veprës penale.
Këto veprime përbëjnë shkelje të rënda ligjore pasi që sipas Ligjit të Zyrtarëve Publikë, mandati i Komisionit Disiplinor është dy vite dhe shuarja e këtij organi përbën keqpërdorim të detyrës, vepër kjo e sanksionuar me Kodin Penal të Kosovës.
Ahmeti u emërua U.D. i kryeshefit të AKPPM-së më 15 gusht, pra vetëm 4 ditë pasi ta shfuqizonte Komisionin Disiplinor. Ahmeti u emëru në vend të Sejdë Tolajt, i cili po më 15 gusht u lirua nga detyra e U.D. të kryeshefit me vendim të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia. Ahmeti paraprakisht ka qenë drejtor i Departamentit të Farmakovigjilencës në AKPPM.
Çfarë u raportua lidhur me Sulltane Havollin?
Sulltane Havolli pretendonte se nuk iu lëshua një dokument nga kjo Agjenci, në atë kohë e udhëhequr nga Tolaj. Dokumenti që zyrtarja Havolli kërkoi dy herë nga AKPPM, më 17.07.2024 dhe 29.07.2024, ishte një dëshmi që nuk ka në fuqi masë disiplinore ndaj saj. Dëshmia se nuk ka në fuqi masë disiplinore është njëra nga dokumentet e nevojshme që zyrtares Havolli iu desh në mënyrë që të aplikonte në konkursin për drejtor të AKPPM-së, të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë më 10.07.2024.
KALLXO.com e ka pyetur Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale lidhur me pretendimet e Havollit se nuk i është lëshuar ende dëshmia që nuk ka në fuqi masë disiplinore ndaj saj dhe për shkeljet ligjore që pretendohet se i ka bërë në AKPPM.
Pavarësisht afatit të konkursit për drejtor të AKPPM-së, vetë ky institucion ka vlerësuar që ta presin ushtruesin e detyrës së drejtorit të Departamentit të Autorizim Marketingut, Bashkim Sadiku, që t’u përgjigjej pyetjeve. “Ju informojmë se aktualisht gjendet në pushim vjetor mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë i cili e ka proceduar në komision disiplinor znj. Sulltane Havolli, bazuar në shkeljet ligjore. Në momentin e kthimit nga pushimi vjetor do të ua dërgojmë përgjigjet në pyetjet e dërguara nga ana e juaj” – thuhet në përgjigjen e AKPPM-së më 06.08.2024.
Në mungesë të dëshmisë se nuk ka në fuqi masë disiplinore, Havolli nuk aplikoi në konkursin për drejtor të AKPPM-së, por u ankua në Agjenci për Informim dhe Privatësi (AIP) ndaj AKPPM-së për mosqasje në dokumentin që kishte kërkuar dy herë. Po ashtu, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Departamentit të Autorizim Marketingut në AKPPM, Bashkim Sadiku, më 02.07.2024, duke iu referuar një njoftimi të Tolajt, i kishte dërguar një email zyrtares Havolli se ajo i ka kryer disa shkelje ligjore në AKPPM dhe se do ta procedojë në komision disiplinor.
Në mëngjesin e datës 03.07.2024, Tolaj e kishte njoftuar Havollin dhe Sadikun se është anuluar procedura e komisionit disiplinor ndaj Havollit deri në një afat të pacaktuar, pasi Havolli kishte njoftuar se ka qenë në vizitë mjekësore për arsye shëndetësore.
Për secilën nga shkeljet ligjore që pretendohet se zyrtarja Havolli i ka kryer në AKPPM nga viti 2023, e shkaku i të cilave është proceduar në komision disiplinor në AKPPM, KALLXO.com e ka pyetur këtë institucion më 05.08.2024, por nuk kishte marrë përgjigje për asnjërën prej tyre. /Ballkani.info/







