DOKUMENT| Propozohet ambasadori i ri në Shkup, ja kush pritet ta zëvendësojë Prindon Sadriun

Kosova përfaqësohet në Maqedoninë e Veriut me të ngarkuar me punë të ambasadorit. Në krye të ambasadës sonë në Shkup është Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani. Sadriu në këtë pozitë e zëvendësoi Gjergj Dedajn, i cili u shkarkua në maj të vitit të kaluar nga presidentja Osmani. Prindon Sadriu, i cili është edhe ushtar rezervë, ka prodhuar një sërë skandalesh publike, ndërkaq së fundmi i ka quajtur gazetarët edhe si ndërmarrje të përbashkët kriminale, shkruan Demokracia.com.

Kjo deklaratë i ka shtyrë mediat vendore, asociacionet ndërkombëtare të gazetarëve dhe institucionet e tjera që të reagojnë, duke e dënuar një gjuhë të tillë fyese dhe kërcënuese. Në anën tjetër, bashkëshortja e Sadriut, presidentja Osmani, nuk u distancua nga kjo gjuhë, por ajo u mundua ta shfajësonte duke thënë se është keqinterpretuar.

Përkundër që Sadriu ka gati 10 muaj si i ngarkuar me punë të ambasadorit në Shkup, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e drejtuar nga Donika Gërvalla nuk ka njoftuar ende për caktimin e një Ambasadori të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Maqedoninë e Veriut.

Kështu nuk ndodhi me tetë nga dymbëdhjetë pozitat e lënë të zbrazëta nëpër përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës nëpër botë. Ato tashmë janë mbuluar me ambasadorë të rinj, bazuar në informatat e shpalosura nga kryediplomatja Donika Gërvalla.

Në anën tjetër, Demokracia.com e ka siguruar vendimin e Ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, e cila më në fund e ka rekomanduar ambasadorin e ri të Kosovës në Maqedoninë e Veriut. I rekomanduar i Gërvallës për ambasador është Florian Qehaja, aktivist i shoqërisë civile.

Më 30 dhjetor të vitit të kaluar, Gërvalla i është drejtuar Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit të Kosovës, duke e rekomanduar Qehajën për ambasador në Shkup.

“Florian Qehaja i plotëson të gjitha kushtet e parapara sipas nenit 6 të Ligjit Nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimit Diplomatik të Republikës së Kosovës”, shkruan Gërvalla në arsyetimin e saj, raporton Demokracia.com.

Florian Qehaja

Nga ky vendim i Gërvallës kanë kaluar një muaj e gjysmë, por Komisioni Parlamentar ende nuk është mbledhur për ta shqyrtuar propozimin për Florian Qehajën. /Demokracia.com/