DOKUMENT| Policisë së Kosovës i mbesin prangat “mbyllur”, blen çelësa 3 mijë e 500 euro

Policia e Kosovës ka hapur një tender në vlerë të 3 mijë e 500 eurove për furnizim me çelësa për pranga. Është thënë se me këto para do të blihen 100 copë çelësa.

Një tender jo fort të zakonshëm e ka hapur këto ditë Policia e Kosovës.

Forcat e rendit janë në kërkim të disa çelësave për pranga.

Për blerjen e tyre po planifikohen të shpenzohen fiks 3 mijë e 500 euro, shkruan Demokracia.com.

“Furnizim me çelësa për pranga. Vlera e parashikuar e kontratës 3,500.00 euro. Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve: 10.05.2023. Te gjitha ofertat do te dorëzohen përmes E-Prokurimit dhe mostrat duhet te dorëzohen ne adresën Rr “Luan Haradinaj”- nr. 99, Ndërtesa e Re e Administratës te Policisë, kati II, zyra e Prokurimit nr. 31, Prishtinë, Kosovë”.

Policia, po ashtu, ka treguar se kompanitë konkurrente duhet të dorëzojnë edhe një mostër të produktit.

“Operatori Ekonomik duhet një mostër dhe ajo duhet të dorëzohen më së largu deri në ditën e hapjes para orës 14 00”.

Në dosjen e tenderit janë dhënë edhe disa detaje dhe specifika sesi duhet të jenë këtë çelësa dhe çfarë pranga duhet të hapin.

“Çelës për pranga. Çelësi duhet të jetë i përshtatshëm për hapjen e prangave të modelit Alcyon 5010. Çelësi duhet të jetë në gjendje të bëjë bllokimin e dyfishtë për prangat Alcyon 5010. Çelësi duhet të jetë i gjatë 45 mm +-0.3mm. Rrethi i brendshëm i çelësit duhet të jetë Φ8.9 mm. Rrethi i jashtëm i çelësit duhet të jetë Φ15.9 mm. Çelësi duhet të jetë me peshë 5 gr. Çelësi duhet të jetë i prodhuar sipas standardit DIN EN10204”, thuhet në dosjen e tenderit.