Nafta

DOKUMENT| “NTSH Patroni” gjobitet me 5 mijë euro për shitjen e naftës dhe benzinës jo cilësore

Ankesat janë të shpeshta për dyshime të cilësisë së derivateve të naftës që tregtohen në Kosovë. Për shkak të cilësisë së dobët të derivateve pas inspektimeve nga Inspektorati i Tregut është konstatuar se njëri nga tregtarët më të mëdhenjtë në Kosovë ka shitur derivate jo cilësore.

Ballkani.info ka siguruar vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, e cila e ka shpallur fajtor Habib Morinën, pronarin e “Patroni”, që merret me tregtimin e derivateve, për shkak të shitjes së produkteve të naftës dhe benzinës jo cilësore.

Në aktgjykimin e gjykatës thuhet se pronari i kompanisë ka shitur produkte jo cilësore, pas analizave që i ka kryer Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

“I pandehuri Habib Morina pronar i “B.I-NTSH Patroni” me seli në Prizren, me datën 27.07.2022 gjatë inspektimit të kryer nga ana e Inspektoratit të Tregut të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në subjektin ekonomik B.I NTSH Patroni shitje me pakicë të NDN, rezulton se produkti i testuar dizel dhe benzina nuk është konform me dispozitat rregullative të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ nr. 01/2017, për cilësi të karburanteve të lëngëta të naftës pika e ndezjes është 43 gradë, ndërsa vlera e lejuar minimale është 55, të konstatuara nga analizat e kryera nga kompania Sierra Lab. Me këtë veprim ka kryer kundërvajtje nga neni 13 pika 2 të Ligjit për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtritshme, andaj dënohet me gjobë prej 5.000 (5 mijë euro)”, thuhet në aktgjykimin e gjykatës që mban datën 12 qershor 2023.

Në aktgjykimin e gjykatës thuhet se “Patroni” ishte furnizuar sërish me derivate tri ditë pasi ishin marrë mostrat dhe sërish edhe furnizimi i ri kishte rezultuar jo cilësorë.

“Operatori Ekonomik është njoftuar me rezultatin jo konform dhe iu është dhënë mundësia e kërkesës për superanalizë në afat prej 3 ditësh. Operatori ekonomik gjatë njoftimit është furnizuar me derivatin e ri dhe është marrë përsëri një mostër për verifikimin e cilësisë, ku përsëri ka rezultuar jo konform Udhëzimit Administrativ”, thuhet në aktgjykim që e ka siguruar Ballkani.info.

Ndërsa pronari i Patroni, Habib Morina, kishte deklaruar gjatë seancës gjyqësore se nuk kanë bërë kërkesë për superanaliza, duke i dhënë edhe arsyet për këtë veprim.

“I pandehuri në seancën verbale të datës 06.02.2023 ka theksuar se me datën 27.07.2022 në NTSH Patroni njësia në Prizren kanë qenë inspektorët për kontroll dhe kishin konstatuar se dizeli kishte rezultuar jo konform dispozitave ligjore. Inspektorët më kanë dhënë afat që të bëj kërkesë për superanalizë në inspektoratin gjegjës, unë nuk e kam bërë sepse kompania e njëjtë bënë superanaliza dhe e njëjta është e cila merr mostrën. Prandaj kemi kërkuar që këtë superanalizë ta bëjë një kompani tjetër e jo MINT-i, dhe lidhur me këtë kemi bërë kërkese me shkrim dhe me gojë”, kishte thënë pronari i kompanisë në gjykatën Themelore në Prizren.

Lidhur me këtë, Ballkani.info ka kontaktuar edhe me kompanin “Patroni”, por të njëjtit nuk i janë përgjigjur interesimit tonë. /Ballkani.info/