DOKUMENT| Në treg 80 euro metri, Shpejtim Bulliqi i shet drutë e shtetit për 11 euro

Komuna e Podujevës që drejtohet nga Shpejtim Bulliqi i VV-së i ka hedhur në shitje disa lloje të druve që gjenden në malet e kësaj zone. Por, në ankandin e shitjes janë vendosur çmime qesharake, duke filluar nga 11 euro për metër. Kurse, çmimi i tyre në treg tashmë ka shkuar në 80 euro.

Kohët e fundit, qytetarët e Kosovës po përballen me rritjen e çmimeve të shumë produkteve bazike për jetesë.

Tash kur temperaturat kanë filluar të bien, qytetarët kanë filluar të përgatiten për muajt e dimrit, duke u furnizuar me dru për ngrohje.

Por, për dallim nga viti i kaluar, ngritje të dukshme të çmimeve ka edhe tek drunjtë, shkruan Demokracia.com.

Aktualisht një metër dru kushton deri në 80 euro, me një tendencë rritjeje në 100 euro.

Por, duket se me këtë gjendje dhe me këto çmime nuk është njoftuar fare Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Kjo komunë, në një ankand të shpallur në e-prokurim ke hedhur në shitje një sasi të druve që gjenden në malet e kësaj ane.

“Dru Teknik, 12 metra, çmimi për metër 34.35 cent, vlera totale 411 euro, pishe e zezë. Dru zjarri, 74.80 metra, çmimi për metër 19.43 cent, vlera totale 1 mijë e 453 euro, pishe e zezë, Hartine. Totali 86.8 m3”, thuhet në njërin nga njoftimet e shpallura për shitjen e masës drunore – ngastra 167/02, Njësia Menaxhuese Popovë-Llapashticë.

Kurse, në njoftimin tjetër të shpallur për shitjen e masës drunore ngastra 234-02, njësia menaxhuese Popovë-Llapashticë, vendi i quajtur Pakashticë e epërme, thuhet se çmimi për një metër dru nis nga 11 euro.

“Dru teknik, 6.9 metra, çmimi për një metër 25.64 euro, vlera totale 176 euro. Dru zjarri, 51.2 metra, çmimi për një metër 11.47 euro, vlera totale 587 euro”, thuhet në njoftim.

Komuna ka treguar se drutë shiten në kushte “siç janë, ku janë” dhe Autoriteti Kontraktues nuk do të ketë përgjegjësi të mëtutjeshme pas shitjes.

“Ofertimi është i hapur për të gjithë ofertuesit e interesuar. Ofertat duhet të dorëzohet në adresën e cekur më lartë jo më vonë se 10.10.2022 & 14:00:00”.

Aktualisht një metër dru në Kosovë kushton deri në 80 euro, me një tendencë rritjeje në 100 euro. Një ton pelet vitin e kaluar kushtonte 180 euro, sivjet kushton 300 euro, gjithashtu me tendencë rritjeje. /Demokracia.com/