Mbi 710 mijë euro do t’i kushtojë buxhetit të shtetit një kontratë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për bileta për udhëtime zyrtare jashtë vendit.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka njoftuar se ka dhënë kontratë përmes Prokurimit për shërbime të transportit ajror – bileta për nevojat e MKRS-së dhe Institucioneve vartëse, shkruan Ballkani.info.

Përmes kësaj kontrate, MKRS pritet që të blejë rreth 2 mijë bileta në destinacione të ndryshme të botës, për një periudhë 3 vjeçare.

Blerja e këtyre biletave do të bëhet për stafin e ministrisë të cilët do të bëjnë udhëtime zyrtare në vende të ndryshme të botës. Derisa, në njoftim nuk janë bërë të ditura relacionet e këtyre udhëtimeve.

“Vendi i kryerjes së shërbimeve është Furnizim me bileta aeroplani për nevojat e stafit të AK në
udhëtime zyrtare. Relacionet nuk mund të definohen paraprakisht”, thuhet në dosjen e kontratës.

Tenderin për këto shërbime e ka fituar kompania turistike “AS TRAVEL CLUB ” SH.P.K, e cila do të përfitojë plotë 710,020.00 euro.

“Qëllimi i kontratës publike kornizë është që të përcaktohen kushtet që rregullojnë furnizimin me aviobileta nga Operatori Ekonomik”, thuhet në dosje.

Kujtojmë se kjo kompani turistike “AS TRAVEL CLUB ” SH.P.K ka fituar tenderë në shumicën e ministrive të Qeverisë Kurti për furnizim me bileta. /Ballkani.info/