DOKUMENT| Grimeret dhe disenjatorët rrisin ndikimin në shtet, Sellma dhe Valdrini përzgjodhën fotografinë zyrtare të presidentes Osmani

Korniza me fotografinë e presidentes Vjosa Osmani, që mbase tani nuk i pëlqen, qëndron e varur në çdo zyrë të institucioneve të Kosovës.

Me xhaketë të kaltër si ngjyra e flamurit të Kosovës, shumë “photoshop” dhe e shkrepur rreth një vit para ndërhyrjes për humbjen e peshës, e para e vendit duket sikur e shikon çdo zyrtar të shtetit.

Ndonëse sot ajo është tjetërsuar e duket krejtësisht ndryshe, me kilogramë shumë më pak, në zyrat shtetërore qëndron fotografia e një Vjose krejt tjetër, shkruan Demokracia.com.

Demokracia.com nga burime brenda kabinetit të saj ka mësuar që presidentja Osmani kishte shfaqur dëshirën për ta ndryshuar fotografinë zyrtare, por ajo kishte hasur në pengesa ligjore.

Por, ajo që po bie shumë në sy është se pushteti aktual në Kosovë, ai i Vetëvendosjes dhe i Listës Guxo, po dëshmohet çdo ditë e më shumë për një lidhje të veçantë me sallonet e ondulimit.

Nuk është ndonjë konspiracion, por vendimmarrja dhe ndikimi i salloneve të ondulimit në Republikën e Kosovës, që udhëhiqet nga Vetëvendosje dhe Guxo (Presidencë, Qeveri e Kuvend) duket se i ka zënë rrënjët thellë.

Pas deputetes së Vetëvendosjes, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, që tregoi se fjalët që i ka dëgjuar në një sallon ondulimi janë të mjaftueshme për të treguar se kush është Albin Kurti, së fundmi po kuptohet që edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dhënë rëndësi të madhe një tjetër salloni të ondulimit.

Për fotografinë që qëndron në çdo zyrë shteti janë përkujdesur një grimere dhe një stilist rrobash, shkruan Demokracia.com.

Sellma Kasumoviq e Valdrin Sahiti janë dy artistët e Kosovës që përkujdesen për çdo paraqitje të rëndësishme të Osmanit.

Njëra ia bënë grimin, tjetri e përzgjedh gardërobën e presidentes. E duke mos u ndalur me kaq, Osmani ua besoi atyre edhe një përgjegjësi tjetër, atë të përzgjedhjes së fotografisë zyrtare të saj.

Demokracia.com ka siguruar vendimin për emërimin e Komisionit për përzgjedhjen e Fotografisë së Presidentes së Republikës së Kosovës.

Në përbërje të Komisionit për përzgjedhjen e Fotografisë së Presidentes së Republikës së Kosovës ishin Muharrem Mustafa, përfaqësues nga Presidenca e Kosovës, Arban Osmani, përfaqësues nga Presidenca e Kosovës, Burim Susuri, përfaqësues nga Protokolli i Shtetit, Arjeta Statovci, përfaqësues nga Protokolli i Kuvendit, Sellma Kasumoviç – artiste, Valdrin Sahiti – artist, Armend Fazliu – artist dhe Artan Humolli – artist.

Në këtë histori mungon vetëm një taksist nga Shkupi./Demokracia.com/