DOKUMENT| Greva në shkolla, Përparim Rama hap tender 400 mijë euro për “tabela të mençura” për mësuesit

Një tender në vlerë të 400 mijë eurove e ka hapur Komuna e Prishtinës, përmes të cilit parashihet të blihen disa tabela të mençura për mësimdhënësit. Është kërkuar që këto tabela të jenë të cilësisë së lartë.

Mësimi në shkollat e Kosovës ende nuk ka filluar, pasi mësimdhënësit tash e dy javë janë në grevë.

Por, një “dhuratë” e mirë po i pret mësuesit e shkollave të Prishtinës, kurdo që ata kthehen në mësim.

Komuna e Prishtinës që drejtohet nga Përparim Rama ka vendosur që të blejë tabela të mençura për mësimdhënësit, shkruan Demokracia.com.

Tenderi që është hapur për këtë punë kap vlerën e 400 mijë eurove, derisa është paraparë të blihen 175 tabela të mençura.

“Vlera e parashikuar e kontratës: 400 000,00. Numri i tabelave 175 copë.  Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve: data 16.09.2022”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës, përcjell Demokracia.com.

Sipas detajeve që janë dhënë nga komuna, këtë tabela janë duke u blerë për ta bërë sa më të lehtë punën e mësimdhënësve.

“Duke pasur parasysh që shkollat kanë nevojë për digjitalizim të shërbimeve emergjente në arsim sidomos në cilësinë e mësimdhënies është shumë e rëndësishme dhe emergjente që të shkurtohet afati për furnizim me tabela të mençura digjitale për institucionet arsimore”, thuhet në sqarimin e këtij institucioni.

Në dosjen e tenderit janë dhënë edhe disa specifika që tregojnë sesi duhet të jenë tabelat e mençura.

“Tabele Interaktive: Dimenzioni i sipërfaqes punuese: Së paku 75″ (Inch) . Raporti i pamjes: 16:9. Rezolucioni maksimal i ekranit:  4K UHD, (3840 × 2160). Dritat e brendshme: Direct led DLED. Jetëgjatësia:  ≥ 50,000 orë. Raporti i kontrastit: 5000:1 Shkëlqimi (maksimumi):  ≥ 350 cd/m². Koha e përgjigjes: ≤ 6ms (max touch inputs).Këndvështrim i pamjes : 178°. Xhami: kundër shkëlqimit. Memoria: 32 GB, 3 GB DDR”, thuhet në dosjen ku janë dhënë edhe shume detaje të tjera për këto tabela.

Po ashtu, është bërë me dije se këto pajisje duhet të kenë garancion 1 vjet, shkruan Demokracia.com.

Punonjësit e arsimit, ashtu si edhe shërbyesit civilë, janë në grevë me kërkesën për rritje pagash, përkatësisht për 100 euro shtesë. Greva në arsim po vazhdon që nga 25 gushti.

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve drejtuar Qeverisë së Kosovës është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat./Demokracia.com/