Ligji për Zyrtarët Publikë tashmë ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese. Përderisa zyrtarët po presin një vendim nga Kushtetuesja, kjo gjykatë ende nuk ka marrë ndonjë vendim. 

Zyrtarët janë të shqetësuar me ligjin e miratuar në Kuvendin e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Një zyrtar i Ministrisë së Financave, i shqetësuar me përllogaritjen e pushimit vjetor të nëpunësve civilë në bazë të përvojës, e drejtë kjo e humbur me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë, është ankuar tek Avokati i Popullit.

Por, ky institucion, pas miratimit të ligjit ka marrë vendim që t’i mbyllë hetimet për ankesën e këtij zyrtari.

Demokracia.com ka siguruar vendimin e Institucionit të Avokatit të Popullit, ndonëse potencohet se ditët e pushimit vjetor të fituara nëpërmjet përvojës së punës nuk duhet të humben, por të llogaritën si të drejta përmes ligjit paraprak.

“Avokati i Popullit kishte konsideruar se llogaritja e pushimit vjetor të fituar në bazë të përvojës së punës duhet të bëhet sipas dispozitave të Ligjit për Zyrtarët Publikë, duke e llogaritur edhe pushimin vjetor në bazë të përvojës së punës të fituar gjatë periudhës sa kishte qenë në zbatim Ligji për Shërbimin Civil”, thuhet në vendimin e Institucionit të Avokatit të Popullit, përcjell Demokracia.com.

“Avokati i Popullit kishte theksuar se numri i ditëve të pushimit vjetor në bazë të përvojës së punës, të fituara me Ligjin për Shërbimin Civil, nuk mund të humbë, por duhet të llogaritet si e drejtë, e cila është fituar me një ligj paraprak”, vijon ndër të tjera vendimi.

“Divizionet e burimeve njerëzore në institucionet e Republikës së Kosovës ku punojnë nëpunës civilë, ta llogarisin pushimin vjetor në bazë të përvojës së punës duke ia shtuar pushimit të fituar me Ligjin për Shërbimin Civil, ditët e pushimit të fillojnë të llogariten nga dita e hyrjes në fuqi të Ligjit për Zyrtarët Publikë, sipas mënyrës së përcaktuar me këtë ligj”, thuhet ndër të tjera në opinionin e Avokatit të Popullit. /Demokracia.com/