DOKUMENT: Alarmohet Komiteti i Energjisë, Kosova të sigurojë financa të mjaftueshme për ZRrE-në

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu, ka pranuar një letër nga Marko Bislimoski, president i ECRB-së, lidhur me Projektligjin për Zyrtarët Publik dhe Projektligjin për Pagat.

Letra e Bislimoskit u dërgua në kuadër të Komitetit për Energji të Bashkimit Evropian, i cili ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me këto projektligje, ku me miratimin e Projektligjit për Pagat, zyrtarët e ZRrE-së do të kenë ulje të pagave 40 deri në 65 për qind, varësisht nga pozitat, shkruan Demokracia.com.

“Komuniteti i Energjisë dhe konkretisht Neni 36 Direktivat 2009/72/KE dhe Neni 39 i Direktivës 2009/73/KE – kërkojnë që Kosova të sigurojë që ZRrE të jetë e pajisur me burime të mjaftueshme financiare dhe njerëzore për të kryer detyrat e saj”, thuhet në letrën e Bislimoskit drejtuar Ymerit.

“Siç përshkruhet në Udhëzuesin e Politikave të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë 02/2015 të datës 28 janar 2015 mbi Pavarësinë e Autoriteteve Kombëtare Rregullatore, kjo kërkon që një rregullator i energjisë të jetë në gjendje të tërheq staf mjaft të kualifikuar për të ekzekutuar përgjegjësitë e tij në mënyrë kuptimplote. Udhëzuesi i Politikave të Sekretariatit më tej specifikon se kjo mund të garantohet vetëm nëse edhe nivelet e pagave janë mjaftueshëm tërheqëse. Prandaj, pagat e stafit duhet të krahasohen me ato të industrisë së rregulluar. Për më tepër, pavarësia e një rregullatori të energjisë përfshin autonominë e tij në përdorimin e buxhetit të tij për pagat e stafit”, thuhet tutje në letrën drejtuar ZRrE-së.

Këto kërkesa aktualisht janë pasqyruar në mënyrë adekuate në Ligjin e Kosovës për Rregullatorin e Energjisë, në veçanti për çështjet e burimeve të mjaftueshme financiare dhe pavarësisë në përcaktimin e pagave.

Ky i fundit në veçanti përcakton:

• Neni 19 “Burimet e financimit” përcakton se tarifat e mbledhura nga ZRRE në lidhje me licencimin dhe aktivitetet tjera janë burimi i financimit/buxhetit të saj;

• Neni 8 “Statusi dhe pagat e anëtarëve të bordit dhe personelit” përcakton se:

o Paga e kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit do të caktohet nga Kuvendi deri në nxjerrjen e Ligjit përkatës për Pagat e Zyrtarëve të Lartë Publikë;

o Pagat dhe mëditjet e personelit të ZRRE-së do të caktohen nga Bordi, duke marrë parasysh nivelin e pagave në sektorin që e rregullon atë.

Gjithashtu, neni 22, pika 1 përcakton se ZRRE-ja do të ketë një ndarje të veçantë buxhetore të financuar nga të hyrat vetanake dhe do të ketë pavarësi të plotë në zbatimin e buxhetit të saj.

“Bazuar në këtë, nënvizoj nevojën për t’u përmbajtur nga ndikimi negativ në kapacitetin institucional të ZRRE-së, nivelet e shpërblimit të personelit, pasi në të kundërt do të rrezikohet pavarësia në vendimmarrje si dhe aftësia për të mbajtur personel të kualifikuar”, thuhet tutje në letër. /Demokracia.com/