Doktori i njohur kosovar nga Gjermania: Ndjekni këto këshilla, në Gjermani kështu po e mposhtin COVID19

Doktori i njohur kosovar me veprimtari në Berlin të Gjermanisë, Fahri Beqa, ka shfrytëzuar rrjetin social Facebook që të mobilizojë shqiptarët anë e mbanë botës.

Ai ka treguar se janë disa masa preventive që e luftojnë virusin korona që është kthyer në pandemic, shkruan Ballkani.info.

Kujtojmë që Gjermania shënon një numër të madh të të prekurve, por ka shumë pak të vdekur në proporcion me të infektuarit.

Këto janë këshillat e doktorit Beqa:

Në luftën kundër virusit COVID-19:

1. Vetë QYTETARËT janë vija e parë e mbrojtjes duke i zbatuar vullnetarisht masat parandaluese për përhapjen e shpejtë të infeksionit të propozuara nga ekspertët e Instituteve Nacionale të Shëndetit Publik.

2. Masat parandaluese duken të thjeshta por nëse zbatohen drejtë SHPËTOJNË JETËN TËNDE DHE TË TJETRIT QE E KA SHËNDETIN MË TË DOBËT SE TI.

3. Nëse këto masa dhe këshilla nuk respektohen nga njerëz që nuk e kuptojnë drejtë situatën dhe në këtë mënyrë rrezikojnë shëndetin e popullatës, atëherë ndërhyjnë autoritetet e shtetit dhe aplikohen rregulla dhe ligje që DUHET patjetër të respektohen, përndryshe shkelësit përballen me konsekuenca juridike.

4. Gjendja e jashtëzakonshme është masa e fundit e mundshme që shpallet nëse situata nuk mund të mbahet nën kontroll, sepse kjo gjendje i kufizon në mënyrë ekstreme të drejtat dhe liritë e njeriut, dhe në rastet më të këqija mundet edhe të keqpërdoret.

4. Nëse dështojnë masat e parandalimit atëherë vija e fundit e mbrojtjes janë SPITALET dhe KLINIKAT. Ato duhet të jenë të përgatitura si në aspektin organizativ ashtu edhe në atë teknik dhe profesional. Ndër të tjera duhet të merren këto masa:

a) anulimi i të gjitha intervenimeve e operacioneve të planifikuara jo akute;

b) rritja e kapaciteteve të spitaleve dhe klinikave duke përgatitur dhe adaptuar reparte të improvizuara për pranim të pacientëve të prekur nga COVID-19. Këtu hyn edhe adaptimi i hapësirave e objekteve që kanë destinacion tjetër për nevoja të spitaleve (për shembull në Berlin është duke u përgatitur objekti ku mbahen panairet ndërkombëtare në funksion të një spitali me 1000 shtretër);

c). të gjithë pacientët që zhvillojnë vetëm simptoma të lehta e të moderuara të sëmundjes mjekohen nëpër këto reparte e spitale të improvizuara (nga përvoja e vendeve që janë prekur më shumë me këtë virus tanimë dihet që në këtë grup hyjnë 80-95% e pacientëve);

d). vetëm pacientët që zhvillojnë një stadium më të rëndë të sëmundjes vendosen në klinika të etabluara që janë të pajisura me të gjitha aparaturat e nevojshme për mjekim dhe në këtë mënyrë sigurohen mjaftueshëm vende për të sëmurit rëndë që të marrin trajtimin adekuat. Kështu evitohet mbingarkimi i sistemit shëndetësor për të mos ndodhur ajo që po ndodh në Itali.

e). dhe mos harroni që edhe gjatë kohës së epidemisë do të paraqiten edhe sëmundje tjera akute. Infarkti i zemrës, insulti cerebrovaskular, dekompenzimi i insuficiencës së zemrës, çrregullime të ritmit të zemrës, ekzacerbimi i bronkitit kronik, çrregullime të diabetit etj. – të gjitha këto nuk bëjnë pauzë.
PRANDAJ KRIJONI HYRJE TË VEÇANTA PËR TË DYSHUARIT ME COVID-19 NË KLINIKAT DHE SPITALET TUAJA NË MËNYRË QË MOS TË KETË KONTAKT MES KËTYRE KATEGORIVE. KJO DO TË ISHTE VDEKJEPRURËSE PËR GRUPIN E DYTË (evitoni gabimet që ndodhën në Itali).

Dhe e fundit:
MOS I HARGJONI MASKAT DHE MATERIALIN TJETËR MBROJTËS PA NEVOJË, E VEND E PAVEND, VETËM SA PËR T’U FOTOGRAFUAR PËR RRJETE SOCIALE. RUAJENI ÇDO MATERIAL MBROJTËS SEPSE DO TË JU DUHET MË VONË.

NUK KA VEND PËR PANIK POR PATJETËR DUHET KUJDES I SHTUAR.

P.S. Dje e konfirmoi edhe World Health Organisation qe Ibuprofeni nuk duhet të përdoret për zbritje të temperaturës.