Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik tha sot se i rekomandon komunitetit ndërkombëtar që të mos bëjë presion mbi Republikën Serbe, sepse presioni nuk ka efekt.
Duke komentuar deklaratën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, pas takimit me shefen e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, se BE-ja duhet “të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme” për të vazhduar presionin ndaj “atyre që e vënë në rrezik të madh Bosnjën dhe Hercegovinën, veçanërisht ndaj presidentit të RS-së, Milorad Dodik”, tha Dodik se është e kotë, transmeton Ballkani.info.
“Kot e kanë, ata bëjnë presion prej vitesh, por asgjë. Pra, çfarë do të shtyni përsëri për asgjë? Nuk do t’ua rekomandoja atyre”, u tha Dodik gazetarëve në Banja Llukë në kremtimin e përvjetorit të themelimit të Brigadës së Dytë të Krajinës në vitin 1942.
Dodik tha se Baerbock “dezinformoi Blinkenin” dhe iu referua gjithashtu deklaratave të ambasadorit të SHBA në Bosnje dhe Hercegovinë, Michael Murphy, të cilin ai e quajti “baba-ser”.
“Murphy po ankohet në mediat e Sarajevës, ai është i inatosur sepse ne në RS nuk e njohim, sepse ai është manipulues dhe jep leksione se çfarë duhet të bëjmë. Ambasador i kujt është, pse na mban leksione!?”, tha Dodik.
Ai vlerësoi se “amerikanët nuk po shkojnë mirë askund në botë, ata kanë problem me Kinën, me zgjedhjet e ardhshme, me ish-presidentin Donald Trump, i cili u akuzua për 40 akuza nga qeveria në të cilën ndodhet Blinken, vetëm për të parandaluar fitore në zgjedhjet e ardhshme”.
“Ne po presim me padurim fitoren e Trump”, tha Dodik.
Duke komentuar deklaratën e ministrit të mbrojtjes të BiH Zukan Helez (SDP) se ka “informacione inteligjente se Presidenti i RS po përgatitet të arratiset nga BeH”, Dodik tha se “ndoshta Helez po krijon diçka, ndoshta e ka dëgjuar nga taverna ku rri shpesh, ndoshta kamerieres i ka dhënë bakshish, nga e di unë!?”, tha ai.
Dodik është i sanksionuar nga SHBA-ja për lidhjet e tij me presidentin rus, Vladimir Putin dhe për minimin e funksionimit të Bosnjës dhe Hercegovinës. /Ballkani.info/







