SHBA

Dodik: Sanksionet e SHBA u vendosën për shkak të miqësisë midis serbëve dhe rusëve

Kryetari i entitetit serb në Bosnje dhe Hercegovinë, Millorad Dodik, ka thënë se vendosja e sanksioneve të SHBA kundër zyrtarëve të lartë dhe drejtuesve të partive që përbëjnë qeverinë në Republikën Serbe është “një përpjekje për t’i prerë kokën popullit të RS”.

“Korrupsioni, mosrespektimi i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, krimi, janë disa nga shpjegimet për të cilat nuk është bashkangjitur asnjë provë. SHBA nuk po kërkojnë prova, mjafton të shënojnë objektivin për vendimin”, ka thënë Dodik për mediat serbe.

Sipas fjalëve të tij, “vendosja e sanksioneve për shkak të lobimit për takime me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin”, do të thotë se më në fund ka filluar “loja me letra të hapura”, transmeton Paparaci.

“Gjithçka që ata bëjnë, ata në fakt e bëjnë për shkak të lidhjeve të njohura midis popullit rus dhe popullit serb”, ​​ka pretenduar Dodik.

Ai gjithashtu ka thënë se “as vuajtjet dhe viktimat e mëdha, shkatërrimet dhe luftërat nuk kanë krijuar armiqësi mes serbëve dhe rusëve, kështu që këtë nuk do ta bëjnë as sanksionet amerikane”.

“Nëse ne jemi një “stërvitje demonstruese” për pjesën tjetër të botës që do të kishte dëshiruar të bashkëpunojë me rusët, le të jetë ashtu. A ka mundësi që Dodik, Cvijanoviq, Stevandiq, Gjokiq dhe të tjerët që u sanksionuan të jenë fajtorë dhe të “mos ketë” asnjë faj amerikan në asgjë?”, pyeti Dodik.

Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj ministrit të industrisë, energjisë dhe minierave të Republikës Serbe, Petar Gjokiq si dhe ndaj Dushko Peroviqit, kreut të përfaqësisë së RS në Moskë dhe ndaj Sava Cvjetonoviq, për shkak të lidhjeve të tyre me Rusinë.