Milorad Dodik

Dodik paralajmëron: Republika Serbe do të fillojë procesin e pavarësisë

Milorad Dodik ka paralajmëruar se si përgjigje ndaj rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, Republika Serbe do ta iniciojë procesin e pavarësisë, raporton “Klix.ba”.

Presidenti i entitetit Republika Serbe, ka thënë se është “krenar për koalicionin qeverisës, që po tregon vendosmëri për të zbatuar këto masa lidhur me pavarësinë”.

“Me rezolutën për Srebrenicën, elita politike e myslimanëve boshnjakë i shënoi vetes një ‘autogol’ serioz. Gjenocidi në Srebrenicë nuk ka ndodhur, po të ndodhte, nuk do të kishte nevojë të ngrihej vazhdimisht kjo çështje”, tha Dodik.

Ai tha se “askund nuk është shkruar për numrin e serbëve të vrarë në Srebrenicë”.

“Republika Serbe është e qëndrueshme dhe e aftë të mbrohet nga të gjitha sulmet. Nuk do të ketë bisedime për pranimin e të ashtuquajturës rezolutë për Srebrenicën. Ndarja paqësore është zgjidhja e vetme për të gjithë popujt në Bosnjë-Hercegovinë”, ka thënë Dodik.

Dodik edhe më herët kishte paralajmëruar se nëse miratohet rezoluta për Srebrenicën atëherë do të shpallë pavarësinë e Republikës Serbe.

Draftrezoluta, e kosponsorizuar nga Gjermania dhe Ruanda, i ka 7 pika dhe do të nxirret për votim më 2 maj në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Në pikën e parë flitet për caktimin e 11 korrikut si Ditë Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, e që do të shënohet çdo vit, derisa në pikën e dytë flitet për dënimin pa rezerva të gjithë atyre që e mohojnë këtë vepër.

Më 11 korrik 1995, forcat serbe në Bosnjë-Hercegovinë vranë mbi 8.000 burra e djem myslimanë të paarmatosur.

“Dënon pa rezerva çdo mohim të gjenocidit të Srebrenicës dhe u kërkon shteteve anëtare të ruajnë faktet e vërtetuara, duke përfshirë përmes sistemeve të tyre arsimore, duke zhvilluar programe të përshtatshme, gjithashtu në kujtim, drejt parandalimit të revizionizmit dhe shfaqjes së gjenocideve në të ardhmen”, thuhet në pikën 2 të këtij drafti.

VIDEO BONUS: