Entuziazmi për hyrjen e Bosnjë-Hercegovinës në BE është në rënie, por edhe Evropa është përgjegjëse për këtë, thotë presidenti i RS, Milorad Dodik. Sipas tij, arsyeja për këtë është se nga Evropa po vijnë mesazhe kontradiktore për kushtet për përparim në rrugën evropiane.

Dodik si gjithmonë ka hedhur vrer mbi SHBA-në.

“Nëse rruga evropiane mundëson ruajtjen e kulturës, pavarësisë dhe traditës sonë, ia vlen ta ndjekim. Megjithatë, BE-ja tregon mospërputhje, veçanërisht kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit dhe ndërhyrjet e mbështetura nga fuqitë e huaja, gjë që çon në perceptimin e Republikës Srpska si një faktor përçarës. Evropa po lufton edhe me probleme të brendshme që e lënë kontinentin nën ndikimin e SHBA. Presidenca e Joe Biden, e përballur me sfidat e veta, pasqyron këtë situatë ku Evropa indirekt mbetet nën udhëheqjen e liderëve që mund të mos jenë në lartësinë e detyrës. Jemi të vendosur të mos humbasim Republikën Srpska dhe, nëse është e nevojshme, t’i rezistojmë kushteve të imponuara në “rrugën evropiane”, tha Dodik për “Cosmo” austriake.

Ai shtoi se BeH është në fakt një projekt i SHBA. Lidhur me këtë, ai për të disatën herë ka përsëritur historinë se si SHBA-të e imponojnë narrativën se serbët janë përgjegjës për konfliktin.

Dodik vazhdon mohimin e gjenocidit mbi popullin e BeH-së.

Në të njëjtën kohë, ai injoron plotësisht pikëpamjet e panumërta të shprehura se askush nuk fajëson popullin për luftën dhe krimet e kryera në Bosnje dhe Hercegovinë, por individë, mbi të gjitha ata që mbanin poste qeverisëse në atë kohë.