Edhe pse Bashkimi Evropian ende nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të fundit të liderit të entitetit të Republika Srpska Milorad Dodik për shpalljen e pavarësisë së këtij entiteti në Bosnje dhe Hercegovinë, jozyrtarisht BE-ja thotë se deklarata të tilla janë shprehje e dëshpërimit të Dodik. i cili është “mjaft i izoluar”.
Kështu tha një burim diplomatik nga BE, shkruan gazeta kroate, Jutarnji list.
– BE-ja dënon fuqishëm të gjithë retorikën secesioniste dhe këtë ua ka komunikuar qartë të gjithë bashkëbiseduesve në Bosnje dhe Hercegovinë. Njoftimet e herëpashershme të Milorad Dodik nuk meritojnë aspak koment. Ai ka vetëm një mik në Bashkimin Evropian dhe ai është Viktor Orban. Dodik e di se deklaratat për pavarësinë e Republikës Srpska janë të pakuptimta, sepse një entitet i tillë do të ishte plotësisht i izoluar politikisht dhe ekonomikisht dhe do t’i sillte vetëm vuajtje të reja popullatës atje – tha ky burim diplomatik i Bashkimit Evropian, transmeton Ballkani.info.
I pyetur pse BE-ja ende nuk ka miratuar sanksione kundër Dodik, ai thotë:
– Dodik tashmë është mjaft i izoluar dhe me deklarata të tilla thjesht dëshiron dëshpërimisht të tërheqë vëmendjen dhe të rrisë rëndësinë e tij.
Deklaratat e Milorad Dodik u dënuan edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si BE ashtu edhe SHBA përsërisin mbështetjen e tyre të plotë për unitetin, integritetin territorial dhe sovranitetin e BeH dhe paralajmërojnë për pasojat për të gjithë ata që e vënë në dyshim atë. /Ballkani.info/
BONUS VIDEO: Për çfarë po proteston opozita në Serbi?







