I sanksionuari nga SHBA

Dodik e thotë sërish, kërcënon me ndarje nga Bosnja: Unë do të jem presidenti i parë i Republikës së pavarur Serbe

Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, deklaroi se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga politika dhe se në të ardhmen e sheh veten si presidenti i parë i Republikës së pavarur të Republikës Serbe, e cila do të shkëputet nga Bosnja dhe Hercegovina.

Në televizionin K3 nga Prnjavori, i pyetur se ku e sheh veten në vitin 2030, Dodik u përgjigj se do të jetë “në mandatin e parë të presidentit të Republikës së pavarur të Republikës Serbe”, transmeton Ballkani.info.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të RS që të “mbahen fort pas tij dhe politikës së tij”.

Dodik prej vitesh ka shpallur shkëputjen e RS-së nga BeH, prandaj, ndër të tjera, SHBA-të dhe Britania e Madhe vendosën sanksione ndaj tij.

Në Gjykatën e Bosnjë-Hercegovinës po zhvillohet një proces kundër Dodikut për moszbatim të vendimeve të Përfaqësueses së Lartë, për të cilin kërcënohet me dënimi me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe mundësia e largimit nga detyra. /Ballkani.info/