Dobra: Ushqimi në QKUK është më i mirë se në cilëndo gjelltore të Prishtinës

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka kuzhinën apo mensën qendrore të saj, e cila ushqen mbi 1 mijë e 200 persona gjatë një vakti ose 4 mijë deri në 4 mijë e 500 persona gjatë ditës, raporton Ballkani.info.

Por, nga Sektori i Ushqimit në këtë institucion ankohen për mungesën e stafit si dhe moshën e stafit aktual.

“Problemi më i madh që kemi, ose nevoja më e madhe që kemi është mungesa e stafit. Kemi nevojë edhe për pak staf shtesë dhe për rifreskim, sepse mosha e bën të vetën”, ka thënë për Ballkani.info Fisnik Dobra, Shef i Sektorit të Ushqimit në QKUK.


Fisnik Dobra

Stafi prej 18 anëtarësh përgatit ushqim për 4 mijë e 500 persona në ditë. Dobra beson se me kompletimin e stafit do të bëjnë ‘revolucion’.

“Po presim që të kompletohemi edhe pak me staf, për të bërë revolucion, në mënyrë që, ata që ushqehen këtu pastaj mos me i pëlqy ushqimi në asnjë nga hotelet këtu”, u shpreh optimist Dobra.

Gjithashtu, në kuzhinën e QKUK-së është vetëm një nutricist. Sidoqoftë Dobra vlerëson se ushqimi në Mensën e QKUK-së është më i shëndetshëm dhe më i sigurt se kudo tjetër në qytet.

“Pa modesti, ata persona të cilët ushqehen këtu, ushqimin e kanë shumë më cilësor dhe më të sigurt se kudo jashtë lokaleve që janë, jo vetëm brenda kësaj hapësire, por edhe në gjelltoret që janë në qytet. Nuk po flas për këso fastfood, sepse ato janë ushqime të dëmshme edhe për njerëzit e shëndoshë, por flasim për gjelltore, ku ofrohet ushqim i lëngshëm – gjellë, që është edhe më i përshtatshëm”, tha Fisnik Dobra.

Ndërsa sa u përket kushteve në të cilat përgatitet ushqimi, ai thotë se mund të jenë më të mira.

“Kushtet janë të mira, nuk mund të themi shumë të mira. Të mira janë, mund të jenë edhe më të mira, do të bëhen edhe më të mira”, ka thënë Dobra. /Ballkani.info/

loading…