Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve, duke vlerësuar se fitorja e LDK-së në nivel vendi dhe veçanërisht në kryeqytet është dëshmi e një kthese të madhe politike.

Në një postim në rrjetet sociale, ajo ka thënë se disa po përpiqen të minimizojnë suksesin e LDK-së, por se rritja e partisë është e pamohueshme.

“Kur shtuam 70 mijë vota në nivel nacional, na thanë: ‘Po prap jeni në vend të 3-të’. Tani, kur jemi të parët, me Kryeqytetin në qendër të këtij besim, po thonë: s’ka vlerë vendi i parë, por krahasimi me 2021”, ka shkruar ajo.

Kica-Xhelili ka shtuar se përkundër pabarazive në garë, LDK ka arritur të fitojë përmes një fushate “të qetë, të ndershme dhe të njerëzve të zakonshëm”.

“Në një territor plotësisht të pabarabartë, ata kishin gjithë shtetin, e ne zemrat e njerëzve. Ata i ruanin nga 7 truproje, neve dashnia e aktivistëve. Ata kërcënonin natën, ne lobonim ditën,” ka theksuar ajo.

Deputetja e LDK-së e ka përmbyllur reagimin me një thirrje për rivalët politikë që të pranojnë rezultatin dhe të “shërojnë mllefin e vnerin” që, sipas saj, “s’u bën nder askujt”.

“E kur populli vendos të besoj në diçka që s’e sheh askund tjetër, ajo s’është veç politikë, është kthesë. Ne na gjeni këtu,” ka shkruar ajo.

Ky reagim vjen pas shpalljes së rezultateve paraprake, ku LDK doli forca e parë politike në disa komuna, përfshirë edhe Prishtinën.