Edhe mbledhja e sotme e Komisionit Hetimor për Rezerva Shtetërore, po shoqërohet me përplasje të mëdha.

Debati është ndezur pasi Komisioni është afër që ta përfundojë mandatin, përderisa asnjë iniciativë nuk është nisur nga ky Komision.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, paralajmëroi se do të shtrojë edhe kallëzim penal nëse komisionit i përfundon mandati pa zgjidhur dyshimet për dallavere në rezerva.

Kjo e nxiti një reagim të ashpër nga deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba.

“Kërkova që ti me ndërhy, mos me leju kërcënim e shtantazh. Shkruj mos fol. Nëse e ka qu një letër e në atë letër ka pretekst për një ligj, e po na paralajmëron për kallëzim penal, e unë po ia bëj argatin dreqit a? Nuk ta dha kënaqësinë ty”, tha Zyba.

“Krejt ato që fillove me kryetarin e Kuvendit e te ministria e te na që paralajmërove për padi, është çështje e jotja, jo e Komisionit. Kemi argumente, kundër-argumente. Zgjedhja e kësaj, me një shkresë drejtuar ministrisë. Kolegia e ka paralajmëru. E në vend që me thanë ajo që është bërë, është bërë gabim”, deklaroi më tutje Salih Zyba.

Këtu reagoi deputetja e LDK-së, Kica-Xhelili.

“Unë nuk shkruj kur flet ti, a ti shkrun kur flas unë. Ti duhesh me dëgju, e shënimet merri të sakta. Unë muj me ta përsërit, por mos i merr prapsht”, i tha ajo Zybës.

“Unë nuk po du me u marrë me pjesën subjektive. Nuk u kuptuar saktë propozimi. Unë e kam bindjen që nuk kemi bashkëpunim për listën e draftuar. Nuk kemi pasur konsensus. Një e treta e këtij komisioni ka vlerësuar që ajo listë është e domosdoshme. Për mua është e rëndësishme relevanca e dokumenteve që kërkohen. Ministria as nuk e ka marrë mundin me kthy Email, nëse ata vlerësojnë se qenka gabim interpretimi ynë, ne vazhdojmë pastaj më pas. Kallëzimi penal është obligim i secilit qytetar që kur dyshon se ka ndodh një vepër penale, me raportu. Unë po them nëse ju mund të dini diçka e po ndihmoni me fsheh, jeni duke kryer vepër penale”, tha Kica-Xhelili.

Ajo e përmendi që në mbledhjen e kaluar, deputeti Halil Thaçi ishte larguar nga seanca, pasi nuk kishte qenë duke marrë pjesë në seancë.

“Kolegu yt ka dal pse s’jom kanë unë. A s’di me fol ai që s’jam unë a? Më shumë vërehet mungesa ime se prezenca jote”, theksoi ajo.

Në debat u përfshi edhe deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi.

“E para nuk dashta me fillu ky takim me këtë qasje, e filluat mençur, urtë, që jeni të interesuar me bo kërkesën për me zgjat mandantin. Qasja juaj e viktimës është e shkëlqyer. Ju nuk keni marrë pjesë, pas votimit të marrëveshjeve keni ardhur. Ne kemi krijuar komision hetimor, ideja ka qenë e LDK-së, dhe kushdo qoftë që ka bërë keqpërdorime me i hetu me shumë vullnet të mirë. 4 muaj jena ardh, jeni kap nëpër detaje, kemi ardhur kemi debatu, asgjë konkrete. As aty, as aty. Njëherë keni kërkuar me bo kërkesë te Blerim Isufaj, pastaj në Agjencionin për të Dhana. Është neglizhu puna e komisionit. Tash nëse jeni të interesuar me zbardh të vërtetën në Komision, e keni shumicën, normalisht që juve iu bie me zgjat mandatin komisionit, por me kushtin nëse e keni vullnetin me zbardh të vërtetën. Mos qofsha në lëkurë të juajën. Mos e luani viktimën kinse jeni të interesuar me zbardh të vërtetën”, tha ajo.

Ajo iu drejtua deputetëve të VV-së duke ua numëruar mungesat në mbledhjet e komisionit.

“A ke mungu në këtë komision? S’ke ardhë. Le këtë punë. Nëse doni me zbardh të vërtetën. Na e këna dërgu 1/3 pyetjet. Hajde bohemi bashkë po i dërgojmë pyetjet. Llogarite që hiç nuk i kemi dërguar na ata me 1/3. Po gëzohem që po merreni me të. Hajde nëse doni me na bind që po doni me zbardh të vërtetën, e i dërgojmë pyetjet”, tha ajo.

Kërkesa ishte që të synohet zgjatja e mandatit të komisionit, megjithatë konsensusi duket i vështirë.

Ndryshe, KDI ka alarmuar se komisioni pritet të përfundojë punën pa zgjidhur asgjë.