“Do të kenë pasoja në marrëdhëniet SHBA-Kosovë”| Si reagoi bota për situatën e krijuar në veri

Se Qeveria e Kosovës nuk është e koordinuar me aleatët e saj për t’i vendosur në zyrat e tyre kryetarët e komunave të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit.

Sipas burimeve të AP-së, qeveria paraprakisht i kishte njoftuar ambasadat e shteteve të QUINT-it (ShBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) në Kosovë, por nuk e kishte gjetur pajtimin e tyre për këtë veprim.

Përkundër kësaj, sipas burimeve të AP-së institucionet e Kosovës ishin të vendosura të vazhdojnë me planin, çka edhe e konfirmoi Policia e Kosovës një orë më vonë përmes një komunikate zyrtare.

Risku do të ishte shumë i madh nëse do të ndërmerrej një veprim i tillë pa koordinim me ndërkombëtarët, thuhej në raportimin e AP-së.  Dudhe ashtu ndodhi.

Qeveria e Kosovës arriti që Ilir Pecin në Zveçan, Izmir Zeqirin në Zubin Potok dhe Lulzim Hetemin në Leposaviq – të cilët të enjten ishin betuar në objekte të improvizuara – t’i fusë në zyrat e tyre pas përplasjeve me serbët lokalë.

Por, për ta bërë një gjë të tillë Policia e Kosovës u detyrua të përdorë gaz lotsjellës e shok bomba për të shpartalluar turmën e serbëve të cilët ishin mbledhur përpara ndërtesave komunale

Raportimet e AP-së se ndërmarrja e një aksioni të tillë do të kishte një risk të madh, u vërtetua me reagimet që ndodhën pas situatës së krijuar.

Si reagoi Bota?

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shkroi në llogarinë e tij në Twitter se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dënojnë ashpër atë çfarë ka ndodhur këtë të premte në Veri të Kosovës.

“Ne fuqishëm e dënojmë aksionin nga Qeveria e Kosovës që po eskalon tensionet në veri dhe po rritë pasigurinë”, tha Blinken.

Po ashtu, ai bëri thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të tërhiqet menjëherë.

“Thërrasim kryeministrin Albin Kurti që menjëherë të ndalë këto masa të dhunshme dhe të rifokusohet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, shkroi Blinken në Twitter.

Antony Blinken

Ndërsa, edhe më i ashpër ishte reagimi i Departamentit Amerikan të Shtetit, ku përveç se e dënuan atë se çfarë ndodhi, ata vunë në pikëpyetje edhe marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe ShBA-së, të cilët shpesh herë nga liderët institucional kosovar janë cilësuar si “jetike” për Kosovën.

“Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, thuhej në komunikatën e tyre.

Ndërsa, edhe bënë me dije se Qeveria e Kosovës i ka marrë këto veprime “kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës”.

Reagim pothuajse në të njëjtën kohë me atë të DASH-it pati edhe nga Bashkimi Evropian, ku përveç kohës edhe mesazhi ishte i njëjtë.

Përmes një komunikate për media u tha se “Bashkimi Evropian dënon ashpër përleshjet me policinë e Kosovës dhe protestuesit në veri të Kosovës, të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale”.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX. EULEX-it duhet t’i lejohet të zbatojë mandatin e tij në mënyrë paqësore”, thanë nga BE-ja.

“BE-ja nuk do të pranojë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm ose provokues dhe ruajtja e paqes, dhe siguria në terren duhet të jetë prioritet”.

Gjithashtu, edhe shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, të njohur ndryshe si QUINT, reaguan për situatën e krijuar në Veri të Kosovës, ku Policia asistoi për t’i vendosur në zyrat e tyre kryetarët e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Përmes një komunikate për media nga QUINT thanë se “ne dënojmë vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes sonë për përmbajtje”.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që menjëherë të tërhiqen dhe të de-përshkallëzohen dhe të koordinohen ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in”.

Por, përveç kritikave në drejtim të Kosovës nga QUINT-i kritikuan edhe Serbinë, e cila ngriti gatishmërinë e Ushtrisë Serbe në kufirin me Kosovën.

“Jemi të shqetësuar nga vendimi i Serbisë për të ngritur nivelin e gatishmërisë së Forcave të saj të Armatosura në kufirin me Kosovën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve për përmbajtje maksimale, duke shmangur retorikën nxitëse”.

Në vazhdën e reagimeve të shumta ishte edhe ai Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës.

Nga MPJ-ja franceze deklaruan se “Kosova dhe Serbia duhet të ndalojnë rritjen e tensioneve dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për normalizimin e marrëdhënieve të tyre”.

“E ardhmja e Evropës varet së pari nga ndjenja e përgjegjësisë dhe përkushtimi ndaj paqes”, shkroi MPJ-ja Franceze në Twitter.

Reagim pati edhe nga Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga KFOR-i përmes një cicërime në rrjetin social Twitter thanë se i dënojnë të gjitha veprimet e njëanshme të cilat mund të krijojnë përshkallëzim të situatës.

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës dhe dënon të gjitha aktet e njëanshme që rrezikojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve”, deklaruan nga KFOR-i.

Si u prit në Kosovë?

I pari që reagoi dhe atë në kulmin e tensioneve ishte Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Ai tha se institucionet qendrore e kanë obligim që t’ua sigurojnë kryetarëve të rinj përmbushjen e obligimeve të tyre “kushtetuese dhe ligjore”.

Krasniqi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, theksoi se kryetarët do të kenë mbështetjen e plotë të Qeverisë në përmbushjen e obligimeve që u takojnë atyre.

“Ata janë zotuar që do t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim. Si ministri dhe institucione qendrore japim mbështetjen tonë të plotë në përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore të kryetarëve të rinj”.

“E si institucione qendrore e kemi obligim që t’ua sigurojmë dhe mundësojmë përmbushjen e këtyre obligimeve. Komuna është e qytetarëve. Qytetarët nuk mund të mbeten pa komunë”, ka shkruar Krasniqi.

Elbert Krasniqi

Ndërsa, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas kritikave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në drejtim të Qeverisë dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për situatën e krijuar në Veri, ku Policia asistoi që kryetarët e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, të vendosen në zyrat e tyre deklaroi se “moskoordinimi me aleatë – në veçanti me SHBA-të – është thjesht akt antishtetar”.

“Kujt i shërben kjo politikë? Kujt i shërben një Kryeministër si ky?”, pyeti Abdixhiku në një postim në rrjetin social Facebook.

Ai vazhdoi pyetjet e tij: Kush përfiton kur Kosova i dhuron Serbisë të gjithë aleatët e saj?”, dhe vazhdoi të thotë se “ky s’mund të jetë çmimi ynë”.

Ndërkaq, kreu i LDK-së theksoi se është në mbështetje të Policisë së Kosovës për shërbimin e tyre në Veri, por moskoordinimin me aleatë nga kryeministri Kurti e konsideroi si një “theqafje” për Kosovën.

“Në kërkesë të paalternativë për koordinim të ngushtë me aleatë. Politika e matur, politika me miq, është rruga e vetme e Kosovës. Gjithçka tjetër çon në theqafje; ku dhe jemi nisur me një Kryeministër si ky!”, shtoi ai.

Lumir Abdixhiku

Reagim pati edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, parti kjo që kishte dy kryetarë nga radhët e saj në sagën që ishte krijuar në Veri.

Izmir Zeqiri i Zubin Potokut, dhe Ilir Peci i Zveçanit, ishin kryetarë të zgjedhur për komunat përkatëse, që vinin nga radhët e PDK-së, të cilët u asistuan nga Qeveria e Kosovës për tu futur në zyrat e tyre.

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësim të thellë për tensionet e sotme në komunat e pjesës veriore të Kosovës, duke dënuar tendencën për dhunë nga grupe të dirixhuara nga Serbia”, kanë shkruar nga kjo parti në Facebook.

Ndërkaq, nga partia opozitare bënë thirrje për përmbajtje, në mënyrë që sipas tyre të respektohet vullneti qytetar.

“Në këtë moment, të vetëdijshëm se përshkallëzimi i situatës nuk i sjellë asnjë dobi Kosovës, bëjmë thirrje për përmbajtje, rend dhe qetësi, për t’i lënë hapësirë respektimit dhe zbatimit të vullnetit të qytetarëve”, thanë nga PDK.

Po ashtu, ata ftuan qeverinë “që ta vlerësojë situatën e sigurisë dhe veprimet t’i ndërmarr në koordinim edhe me partnerët ndërkombëtarë”.

I ashpër në reagim ishte Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke iu kundërpërgjigjur në emër të Qeverisë Departamentit Amerikan të Shtetit.

Ai shkroi në  Twitter se reagimet e ndërkombëtarëve që intervenimi i policisë ishte masë e dhunshme janë ftesë për aktivizimin e Milan Radojiçiç që ta sulmojë policinë.

“Ta quash aksionin e ligjshëm dhe të civilizuar të Policisë së Kosovës si të dhunshëm dhe operacionin e forcave të rendit si të ‘dhunshme” është një ftesë për Milan Radojiçiç-in që të sulmojë policinë e Kosovës”, shkroi Sveçla në Twitter.

“Secili duhet të veprojë përgjegjshëm. Çdo humbje jete duhet të parandalohet me kujdesin maksimal. Zgjedhja e fjalëve balancuese në këtë situatë është esenciale. Keq-reprezentimi i realitetit mund të çojë në humbje jetësh”.

Xhelal Sveçla

Po nga Serbia?

Fillimisht u raportua nga mediat serbe se Ushtria e Serbisë është vënë në shkallën më të lartë të gatishmërisë luftarake dhe është urdhëruar të lëvizë në drejtim të kufirit me Kosovën.

Por më vonë u konfirmua se: Presidenti i Serbisë dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kishin nënshkruar një urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë në nivelin më të lartë.

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë,  Milosh Vuçeviç, deklaroi se Forcat e Armatosura të Serbisë, pas urdhrit të presidentit, Aleksandër Vuçiq, ishin pozicionuar në vijën kufitare në mes të Serbisë dhe Kosovës.

“Forcat e Armatosura të Serbisë kanë zënë pozicionet e tyre të caktuara që ishin të përcaktuara në përputhje me planet tona të mbrojtjes, planet strategjike, si dhe me veprimet operative dhe taktike të Forcave të Armatosura të Serbisë, të gjitha me qëllim të mbrojtjes së sovranitetit të Republikës së Serbisë dhe qytetarëve të saj”, pohonte ai.

Milosh Vuçeviq

Ndërsa, vet Vuçiç, gjatë tubimit të Partisë Progresive Serbe në Beograd tha se “sikur me qëllim po prisnin që njerëzit nga veriu i Kosovës të vinin në Beograd dhe të sulmonin ndërtesat komunale në veri të Kosovës”, dhe shtoi se për ngjarjet e ndodhura në Veri të Kosovës – ku policia asistoi kryetarët e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, për tu futur në zyrat e tyre – “do ta mbledhë Këshillin e Sigurisë Serbe”.

“Përfaqësuesit e QUINT-it heshtën për të gjitha këto, dhe tani po e dënojnë, kur shqiptarët mbaruan. Nuk kemi pasur krizë më të rëndë. Posa të përfundojë ky takim do të kemi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe kam frikë nga shumë të këqija”, deklaroi Vuçiq.

Aleksander Vuçiq

Reagim të njëjtë pati edhe Ministri i Punëve të Jashtme serbe, Ivica Daçiq.

Në tubimin e thirrur nga Partia Progresiste Serbe në Beograd, ai theksoi se “nuk e japim Kosovën, nuk e japim Serbinë”, duke shtuar se “Prishtina po tenton të pushtojë komunat Veriore”.

“Sot dëgjuat se qeveria e (Albin) Kurtit në Prishtinë po përpiqet të pushtojë komunat serbe në Kosovë me dhunë dhe në këtë mënyrë ta legalizojë dhe legjitimojë plotësisht pushtimin e Kosovës”, pretendonte Daçiç.

Ivica Daçiq

Ndërkaq, kryediplomati serb shtoi se “Serbinë dhe serbët nuk i japim”, dhe vazhdoi fjalimin e tij kundër Kosovës me një ton tejet nacionalist.

“Nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme të bërtasësh – Kosova është Serbi. Ka shumë parti, Serbia është vetëm një”, propagandoi Daçiq.