“Do ta vazhdojnë mandatin nga zyrat e tyre, në ato objekte”, Sveçla përgëzon Policinë dhe kryetarët e rinj

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar për ngjarjet e sotme në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, ku përgëzoi policinë kosovare për profesionalizmin dhe u shpreh se kryetarët e rinj shqiptarë në komunat të banuara me shumicë serbe do të vazhdohet nga objektet zyrtare komunale.

“Kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq sot janë vendosur në zyrat e tyre në objektet komunale. Ata do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka thënë Sveçla.

“Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale, që kishin për qëllim pengimin e këtij procesi. 5 pjesëtarë të policisë janë lënduar nga sulmet e këtyre grupeve por që fatmirësisht lëndimet janë të lehta, ata ndihen mirë dhe janë në detyrë”, shkroi Sveçla.

Kujtojmë se ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, dënoi ashpër futjen, siç tha ai, “të dhunshme” në objektet komunale dhe u bëri thirrje autoriteteve kosovare “të ndalojë menjëherë” një aksion të tillë.

Reagimi i plotë i Sveçlës:

Pas ceremonive të djeshme të betimit të Kryetarëve të komunave veriore, kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq sot janë vendosur në zyret e tyre në objektet komunale. Ata do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale, që kishin për qëllim pengimin e këtij procesi. 5 pjesëtarë të policisë janë lënduar nga sulmet e këtyre grupeve por që fatmirësisht lëndimet janë të lehta, ata ndihen mirë dhe janë në detyrë.

Ftoj të gjithë qytetarët tanë që të mos bien pre e manipulimeve të grupeve kriminale të cilët për hir të përfitimeve kriminale personale e grupore dëshirojnë kaos dhe suspendim të shtetit të së drejtës e të demokracisë.

Institucionet demokratike të Republikës së Kosovës do të jenë gjithnjë në shërbim të qytetarëve të vendit pa dallim dhe të pakompromis me sulmuesit e demokracisë, ligjit dhe qytetarisë.