Zjarri në IML

Djegia e zyrave të IML-së, aty gjendeshin të ruajtura edhe mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit

Një zjarr i madh shpërtheu të martën në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, duke djegur dy prej zyrave kryesore.

Telegrafi mëson se aty ndodheshin edhe dokumente të rëndësishme, e po ashtu një pjesë e mustaqeve të komandantit legjendar Adem Jashari, dhe njëri gisht e një dhëmb i Isa Boletinit.

Ndërsa Prokuroria Themelore e Prishtinës, të martën ka bërë të ditur se ka lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria më tej ka theksuar se në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, IML-në dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin e plotë të rastit në fjalë.

Instituti i Mjekësisë Ligjore është përgjegjës për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sistemit mjekoligjor në vend, për të siguruar shërbime mjekoligjore, mësimdhënie dhe shërbime përkrahëse për familjet e personave të zhdukur.

Detyrat e tij përfshijnë, po ashtu, sigurimin e ekspertizës mjekoligjore për organet publike, udhëheqjen e hetimeve mjekësore për vdekjen në vendin e ngjarjes, kryerjen e zhvarrosjeve, kryerjen e inspektimeve pas vdekjes dhe kryerjen e autopsive.

Ndërkaq, kjo është hera e dytë që objekti i IML-së është përfshirë nga flakët brenda këtij viti.