Është marrë në pyetje këtë të hënë Ajaks Boshnjaku i cili u vetëdorëzua ditën e djeshme në policinë e shtetit në lidhje me përfshirjen e tij në ngjarjen e rëndë që ndodhi në zonën e ish bllokut në Tiranë, më 4 tetor të muajit të kaluar mes grupit të Ervis Martinajt dhe atë të Ervin Matajt.
Në dëshminë e tij para hetuesve, Boshnjaku, mik i Ervin Matës, është shprehur se menjëherë sapo ka filluar sherri, ai është larguar.
Ajaks Boshnjaku, dëshmon në polici: Nuk kam qenë i përfshirë në ngjarje, u largova sapo filloi sherri. Nuk kam lidhje me konfliktet mes Ervin Matës dhe Ervis Martinajt. U vetëdorëzova pasi u qartësua pozicioni im në këtë konflikt.
Boshnjaku pritet të dalë për masë rivlerësimi nesër në Gjykatën e Tiranës. Më 4 tetor në një prej lokaleve të ish bllokut gjatë një konflikti me armë mes dy grupeve mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagosen Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.







