Dje e ‘goditi’ Haradinajn, më 2019 Feraj s’kishte lënë gjë pa i thënë Vjosa Osmanit

Një prej ideologëve të Vetëvendosjes dhe figura më polarizuese që zë hapësirën publike mediale përmes qëndrimeve që publikon në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Hysamedin Feraj, dje ka vënë në pikëpyetje angazhimin e Ramush Haradinajt në luftën e fundit në Kosovë.

Ai shkroi se Haradinaj “po ankohet pse Serbia s’e ka vrarë Albin Kurtin në burg, pa dhënë përgjigje pse nuk e ka vrarë Ramushin gjatë luftës por vëllezërit e tij”.

“Ramushi vazhdoi të ankohet pse Serbia nuk e ka vrarë Albin Kurtin në burg, pa dhënë përgjigje pse nuk e ka vrarë Ramushin gjatë luftë por vëllezërit e tij, dhe pse mbas lufte Vuçiqi e dërgoi natën e me urgjencë Listën serbe që ta bëjë Ramushin kryeministër!”, ka shkruar Feraj më 26 shtator 2022.

Feraj, nuk i ka sefte qëndrimet e tilla. Po t’ia heqësh pak pluhurin arkivit të tij në Facebook dalin edhe shkrime të tjera.

I tillë është edhe një shkrim i datës 30 shtator 2019, përmes të cilit Feraj kishte goditur ashpër Vjosa Osmanin duke e quajtur me ironi ““E shkolluemja” Vjosë!”” , Express.

Në këtë shkrim të para tri viteve, Feraj kishte thënë se Vjosa Osmani kurrë s’pati aq shkollë sa të paralajmëronte e mobilizonte për rreziqet që përgatiteshin e i propozoheshin Kosovës, por thoshte se Osmani di të paralajmërojë kundër bashkimit kombëtar.

Feraj kishte thënë se Osmani është e shkolluar në “shkollën e nacionalizmit serbo-grek”, derisa shtonte se tashmë presidentja është mohimi i intelektual i dyshes Albright-Merkel.

Reagimi i plotë i Ferajt në vitin 2019:

“E shkolluemja” Vjosë!

Kurrë nuk pati aq shkollë sa të shquante, të na paralajmëronte, e të na mobilizonte kundër rreziqeve qe na përgatiteshin e na propozoheshin t’i realizojmë vetë ne, nëpërmjet dokumenteve juridike:

Copëzimin e Kosovës mbi baza etnike në planin Aahtisari; “përfshirjen e të gjitha kërkesave të Serbisë”, siç deklaroi i kënaqur Vuk Jeremiqi, për 6 pikat e Ban Ki Munit; bosnjëzimin e Kosovës me marrëveshjen për zajednicën serbe…

Të mos zgjatemi: “e shkolluemja” Vjosë di të paralajmëroj kërcënueshëm vetëm kundër bashkimit kombëtar shqiptar! Madje duke tejkaluar nacionalizmin serb: kërkon të heqim dore perhershëm jo vetëm nga përpjekjet praktike por nga vetë ideja e ndërgjegjes shqiptare!

Nesër i vjen radha të na kërkoj të njëjtën gjë për Mitrovicën dhe Veriun e Kosovës. Mbasi kundër shqiptarëve e në favor të shtetit malazez tashmë e ka kryer një detyrë duke votuar për 8200 hektarë territor të shtetit që pretendon ta mbrojë.

Vërtetë e shkollueme dhe besnike, por nga veprimet e nga fjalët, duket qartë e shkollueme e besnike në shkollën e nacionalizmit serbo-grek.

Prandaj Vjosa është mohimi absolut intelektual e politik i dy zonjave të shquara jo shqiptare: Albright-Merkel që frenuan nacionalizmin bashkëkohor serb të cilin Vjosa do që ta bëj mendim të Republikës së Kosovës.

Elektorati i LDK-ës, i rrekur në rezistencën antiserbe dhe me ëndrrën e bashkimit kombëtar, nuk është as i kësaj shkolle të Vjosa Osmanit, as për këtë “dituri” që nuk shquan para se të ndodh asnjë rrezik të sotëm për shqiptarët.

Për hir të vuajtjeve të veta, të durimit të dikurshëm torturues vetëm për hir të avancimit të statusit e të çështjes shqiptare, elektorati i LDK- ës sot e shikon veten e atëhershme të avancuar tek Albin Kurti dhe VETËVENDOSJE!