Djali i presidentit të Ugandës i propozon martesë Giorgia Melonit, në këmbim të 100 lopëve

Djali i presidentit të Ugandës, Muhuzi Kainerugaba ka ofruar 100 lopë për “dorën” e Giorgio Melonit, e cila pritet të jetë kryeministre e re e Italisë.

Presidenti i Ugandës, Yoweri Museveni ka shkarkuar djalin e tij, Muhoozi Kainerugaba nga posti i shefit të ushtrisë, pasi ai vazhdimisht kërcënoi se do t’i pushtonte fqinjët, Keninë.

Kainerugaba më vonë tha se kishte bërë shaka, por ato shkaktuan një reagim të zemëruar nga kenianët në mediat sociale.

Në një deklaratë që njoftonte shkarkimin si komandant i forcave tokësore, ushtria tha se Kainerugaba ishte graduar nga gjeneral-lejtnant në gjeneral dhe do të mbetet këshilltari i lartë i presidentit për operacionet speciale.

Kainerugaba ka një prezencë në rrjetet sociale dhe të hënën dhe sot ai dërgoi një sërë mesazhesh provokuese në Twitter, duke përfshirë propozimin e bashkimit të Kenisë dhe Ugandës dhe ofrimin e lopëve për Giorgio Melonin, e cila pritet të jetë kryeministre e Italisë.

Të hënën, ai pyeti 600 mijë ndjekës në Twitter se sa lopë duhet t’i ofrojë Melonit për ta bindur që të martohet me të, shkruan larepublica.

“Unë do t’ia jepja menjëherë 100 lopë! Sepse ajo është e sypatrembur dhe e drejt!”, ka shkruar ai.

Francesco Lollobrigida, një bashkëpunëtor i ngushtë i Giorgio Melonit, u tha gazetarëve se oferta e Kainerugaba nuk ishte një çështje serioze.