Djali i Mbretëreshës Elizabeth II mohon marrëdhënien seksuale me 17 vjeçaren

Duka i Yorkut ka mohuar “kategorikisht” të ketë pasur ndonjë kontakt seksual me një grua amerikane, e cila thotë se e kishin detyruar të kryente marrëdhënie me të kur ishte vetëm 17 vjeç. Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi lidhjet e tij me miliarderin pedofil, Jeffrey Epstein, në një intervistë për BBC, Princi Andrew tha se incidentet e supozuara “nuk kanë ndodhur kurrë”.

Virginia Giuffre, njëra prej akuzuesve të Epsteinit, këmbëngul se e kanë detyruar tre herë të kryente marrëdhënie intime me princin. Por ai përgjigjet se në njërin nga rastet, ishte në shtëpi, me fëmijët e tij pas një feste. Ai e pranoi se ka fluturuar vërtet me avionin famëkeq të Epsteinit, që mbante nofkën “Lolita Express” dhe tha se ka qëndruar në ishullin privat të miliarderit, në shtëpinë e tij në Palm Beach, si dhe në rezidencën e financierit në New York. Por i refuzon kategorikisht akuzat për intimitet me një të mitur.

“Nuk ka ndodhur. Unë absolutisht mund t`ju them në mënyrë kategorike se nuk ka ndodhur kurrë. Nuk kujtoj të kem pasur ndonjë takim me këtë zonjë, asnjë që të më vijë ndërmend”, ka deklaruar Princi Andrew.

Andrew, që është fëmija i tretë i mbretëreshës shtoi madje se rrëfimi i Giuffre që tregonte sesi ai ishte mbuluar nga djersët kur kërcyen në një klub nate mbrëmjen e 2001-shit, koha që, sipas saj, edhe patën kontaktin e parë intim, nuk është aspak i vërtetë e kjo për faktin e thjeshtë se ai ka një problem shëndetësor që e pengon të djersijë.