Djali i Hysni Gucatit: Specialja nuk na lejoi që të vizitojmë babain në paraburgim

Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK), ka reaguar pasi Gjykata Speciale nuk ka lejuar familjarët e Hysni Gucatit, që ta vizitojnë atë në qendrën e paraburgimit në Hagë.

U.d. kryetari i kësaj organizate, Faton Klinaku, në një konferencë të jashtëzakonshme të thirrur për media, deklaroi se kjo është një padrejtësi që po bëhet ndaj pjesëtarëve të UÇK-së.

“Kemi thirrur ketë konferencë të jashtëzakonshme për shkak se familjes së Hysni Gucatit iu është refuzuar vizita që ta vizitojnë atë në Hagë ku po mbahet në paraburgim. Si organizatë përveç kësaj padrejtësisë, ne kemi shfaq edhe me herët padrejtësitë që po iu bëhen dhe do të iu bëhen nga kjo gjykatë politike e cila është miratuar nga deputetë faqezi të Kosovës. Dhe përveç që e kanë miratu një gjykatë politike, e cila nuk ndjek krimet por ndjek pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke ditur këtu që Serbia ka kryer krime dhe masakra dhe nuk i ndjek askush”, ka thënë ai.

Klinaku tha se Specialja nuk ka pranuar vizitat nën arsyetimin se nuk kanë financa të mjaftueshme.

“Mos lejimi i vizitave duke u thirrur kishe në financa, atyre po iu shkelen të drejtat e njeriut, që të vizitojnë familjaret ë tyre në burg”, theksoi ai.

Ndërkaq, Musli Gucati, djali i Hysni Gucati tha se atyre po iu bëhet padrejtësi e madhe pasi që nuk po mund ta takojnë babain e tyre.

“Gjithë dokumentacioni është përgatitur, ka një muaj që kemi përgatit dokumentet. Ministria e Drejtësisë ka kryer detyrat e saj me përgjegjësi, ka pagur biletat, dhe familjarët që kanë pasur të udhëtojnë janë vaksinuar në kohë. Autoritet holandeze kanë bërë një padrejtësi të madhe. Është bërë një vit që nuk kemi pasur kontakte fizik me babin, kinse nuk kemi mjete financiare”, u shpreh ai.

Ndryshe, Gjykata Speciale kishte njoftuar se nga 15 korriku do të lejohen vizitat familjare për të paraburgosurit.