Ismet Gashi, djali i dëshmorit të luftës, Beqir Gashi, i është përgjigjur ish-gazetarit të Botës Sot, Nefail Maliqit, i cili të dielën ofendoi babain e tij dhe dëshmorin tjetër, Mujë Krasniqi.

Duke reaguar ndaj komenteve të Maliqit, i cili aludoi se dëshmorët Gashi dhe Krasniqi kishin qëndruar në hotelin “Rogner” në Tiranë gjatë luftës, djali i Beqir Gashit e ftoi atë që të vizitoi vendin ku dy dëshmorët kanë rënë për lirinë e atdheut: në Gorozhub të rajonit të Drenicës.

“Bravo, Gërrnaq, mirë e ki. E dhimbshme, edhe nëse kanë qëndruar në hotel Rogner”, tha ai. “Unë do të të kisha ftuar ta vizitonim vendin ku ata kanë rënë në Gorozhub, si dhe rrugën që kanë kaluar në dimrin e acartë, me shumë kilogramë barrë mbi shpinë.”

Tutje, Ismet Gashi tha se është e çuditshme sesi mbështetësit e Albin Kurtit janë ofendues të heronjve që kanë luftuar për vendit.

“Por tani e ke të lehtë të shkruash kështu, sepse mendon se ky pushtet që është sot ta ka sjellë lirinë, duke harruar sakrificën e atyre që luftuan dhe dhanë jetën për të.”

“Është e çuditshme që ata që po i fyejnë heronjtë që kanë dhënë jetën për liri dhe që po i fyejnë heronjtë e gjallë që kanë kontribuar për atdheun, po e mbështesin albinin. Ndoshta që 80% e atyre që janë në vv janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha djali i dëshmorit.