Ditëlindja

Ditëlindjet e Demaçit dhe Deharit, Kurti: Baca Adem qëndroi 28 vjet në burg, Astriti ishte vetëm 26 vjeç kur u mbyt në burg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar Adem Demaçin dhe Astrit Deharin në ditën e lindjes së tyre. Po të ishin gjallë, Kurti tha se Demaçi sot do të mbushte 88 vjet, ndërsa Dehari 34.

Kurti ka shkruar në Facebook se Adem Demaçi ka qëndruar 28 vjet në burg dhe se Astrit Dehari ishte 26 vjet kur u mbyt në burg.

“Kur u lirua Adem Demaçi nga burgu i tretë më 21 prill 1990, Astrit Dehari ishte foshnje as dymuajshe. Atë kohë Adem Demaçi ishte 54 vjeçar dhe me Astrit Deharin nuk do ta lidhte kurrë asgjë, sikur Astriti të mos bëhej aktivist politik kur të rritej. Por përveç kësaj, Adem Demaçi dhe Astrit Dehari kanë një të përbashkët rastësore, për çfarë dhe po i kujtojmë sot të dy së bashku. Ata e kanë ditëlindjen në të njëjtën datë, më 26 shkurt. Nëse ende do të ishin mes nesh, sot Baca Adem do të bëhej 88 vjeç, kurse Astriti do t’i mbushte 34 vite jetë. Por fati i tyre ishte i atillë që Adem Demaçi i kaloi 28 vite në burg, kurse Astrit Dehari ishte ende vetëm 26 vjeçar kur u mbyt në burg.”

Në fund, Kurti ka shkruar “urime ditëlindja e disidentit të pathyeshëm Adem Demaçit dhe e aktivistit shembullor Astrit Deharit!”