Dita e të Drejtave të Fëmijëve, ministrat raportojnë në Kuvend

Në Kuvendin e Kosovës po shënohet Dita e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve ku po marrin pjesë edhe disa ministra.

Në fjalimin e tij, ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, ka thënë se ministria që ai drejton ka ndërtuar politika të mira për një sistem të qëndrueshëm të arsimit, por këto duhet të zbatohen në praktikë.

“Hallet e të rinjve që u thanë ekzistojnë, por ne si Qeveri dhe Ministri po mundohemi të krijojmë kushte të barabarta për të gjithë. Janë në hartim kurrikula për moshën 0-5 vjeç. Ne kemi sfida në infrastrukturë. Duhet të kemi më shumë çerdhe. Duhet të kemi qeverisje më të mirë në shkolla, pasi na mungojnë praktikat e nxënësve nëpër ndonjë vend pune. Është ndërtuar një ambient i sigurt nëpër shkolla. Të jemi real është e vështirë të krijojmë infrastrukturë për salla sportive e të tjera, për këtë na nevojiten rreth 300 milionë euro, e që është vështirë”, ka thënë Bytyqi.

Nga ana e tij, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, ka thënë se janë duke krijuar politika për përmirësimin e kushteve në shëndetësi.

“Ne kemi bërë udhërrëfyes klinik. Kemi bërë programe për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, ku 95% e fëmijëve janë të vaksinuar, që është goxha pozitive. Tani po synojmë që ta shpërndajmë informatën për shëndetin, këtë e mendojmë ta bëjmë gjatë vitit të ardhshëm”, tha Ismajli.

Ndërsa, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka thënë se kjo Ministri po përkujdeset që të ofrojë kushte për disa kategori të fëmijëve që jeton në kushte të vështira sociale.

“Ligji për shërbime sociale e familjare rregullon edhe disa çështje si strehimi i fëmijëve pa kujdes familjar, pa prindër, mbrojtjen e fëmijëve me probleme sociale. Përkujdesja sociale i ofrohet fëmijëve atëherë kur kanë probleme të caktuara familjare, sociale e shëndetësore. Ne kemi aprovuar nga Qeveria ligjin për mbrojtjen e fëmijëve i cili shpejt pritet të miratohet nga Kuvendi. Ministria paguan skema sociale për një mori kategorish të familjeve dhe fëmijëve”, përfundoi ai.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka thënë se janë avancuar dukshëm në procesin e riintegrimit, këshillimin social, e në raste të veçanta kanë dhënë ndihma financiare për fëmijët.

“Ne bashkëpunojmë ngushtë me qeverisjet lokale për ta ruajtur sigurinë. Në mbi 2000 fëmijë kemi asistuar tek fëmijët e riatdhtdhesuar gjatë viteve 2016-2018”, tha Mustafa.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se ky raportim sot është më i miri që ka dëgjuar që prej se e ka marrë pozitën dhe shtoi se Ministria që ai drejton ka krijuar kushte mjaft të mira për sigurinë e fëmijëve.

“Ne edhe në Kodin Penal e kemi trajtuar dhunën në familje dhe të drejtat e fëmijëve. Në Qendrën Korrektuese Edukuese me qendër në Lipjan, që ne si Ministri e kemi në kompetencë, kemi krijuar kushte mjaft të mira në të”, ka thënë Tahiri.

Nga ana tjetër, Trina Hoti, përfaqësuese e të drejtave të fëmijëve në grupin “ROR”, në fjalimin e saj thë se problemet e fëmijëve janë të shumta.

“Kemi miratuar rezolutën në Sallën Plenare nga vetë ne fëmijët një vit më parë. Dhe sot kemi organizuar këtë takim qe të dimë se çka ka ndodhë me atë rezolutë që promovon të drejtat e fëmijëve. Në shkolla sot fëmijët mësojnë me çanta kilogramshe, shkollat kanë mungesë të kompjuterëve e laboratoreve. Maturantët dëshirojnë të ikin në vende të tjera. Mungesa e psikologut e dëmshme. Kemi prani të armëve nëpër shkolla dhe substanca narkotike. Nuk kanë rrymë, ujë e as kënde të lojërave. Ne duam shkolla të sigurta. Luftë kundër drogës dhe dhunës duam ne”, përfundoi ajo.