Dita e ‘punës’ për mjekët grevistë (VIDEO)

Korridoret e zbrazëta dhe dhomat me nga një pacient apo pa pacientë fare janë pamje jo të zakonshme në ditët kur mjekët punojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Por ka pothuajse një muaj që greva e mjekëve kirurgë ka krijuar këtë atmosferë në disa pjesë të institucionit më të madh shëndetësor në vend.

Gjatë kohës së grevës, shërbimin e marrin vetëm ata pacientë jeta e të cilëve është në rrezik, por jo edhe ata të cilët kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjike jo urgjente.

Kirurgu Arbër Morina nga kolegjiumi i mjekëve grevistë tha se numri i pacientëve që nuk po marrin shërbim është i ndryshëm varësisht se sa paraqiten nevojat për operim.

“Kirurgjia Abdominale i ka katër kirurgji dhe si e tillë ata operojnë pesë herë në ditë kur përfshihen edhe Reparti i Endoskopisë e Laparaskopisë. Këto bëjnë plus 10 operacione të tjera. Parimisht 30 operacione bën vetëm kirurgjia abdominale në një ditë, secili departament tjetër bën 5 deri në 10 operacione që nënkupton diku 100 deri 150 eventualisht 200 raste në ditë”, tha Morina.

Ai thotë se tashmë rutina e mjekëve ka ndryshuar dhe se ata merren vetëm me rastet urgjente duke mos trajtuar asnjë rast tjetër që mund të presë.

Mjekët në shumicën e kohës janë në dhomën e tyre duke qëndruar bashkë ndërsa shumica prej tyre nuk bartin as mantelat e bardhë.

Përfaqësuesi i mjekëve grevistë thotë se ata kanë hasur në një mirëkuptim nga familjarët e pacientëve dhe deri më sot nuk ka pasur asnjë problem me ta.

Në korridore ku gjendet Kirurgjia Abdonimale vërehet një qetësi e madhe dhe si zakonisht nuk shihet pacientët nëpër korridore.