Dita e kombeve të bashkuara shënohet me dyer të mbyllura

Shkruan: Elbasan Osmani

Dita ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara, filloi të festohet që nga 24 tatori i vitit 1948, tri vite pasiqë u krijuar kjo organizatë ndërqeveritare, pasiqë Asambleja e Përgjithshme e KB-së rekomandoi që kjo ditë të respektohet nga shtetet anëtare si festë publike. Nga 206 shtete në mbarë globin, shtete të pavarura cilësohen 197, ndërsa 193 janë pjesë e Kombeve të Bashkuara. Kjo organizatë bartë në vete një kontrast shtetesh, nga ato më demokratiket deri tek ato me një zhvillim të plogshtë dhe me nivel të demokracisë e paqes jo të dëshirueshëm.

Kombet e Bashkuara, sot shënojnë 74 vjetorin e themelimit, pa një pjesë të shteteve të cilat promovojnë paqen dhe zhvillimin e marrëdhënjeve miqësore dhe kjo “falë” politikave dhe vetos së shteteve të përhershme që sipas vullnetit mbështesin dhe bllokojnë antarësimin e vendeve të reja mbi baza preferenciale. Bazuar në këto fakte, serioziteti dhe vetë gatishmëria e KB-së nuk korespondon dhe nuk është në linjë të drejtë me politikat që proklamon.

Vendi ynë vazhdon të mbahet i bllokuar padrejtësisht edhe nga Institucionet Evropiane, poashtu edhe ato ndërkombëtare. Padrejtësisht, herë pas here, favorizohen agresorët dhe nuk mbështeten viktima, dhe arsyet tashmë janë të ditura. Kombet e Bashkuara, si organizatë përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe zhvillimin e marrëdhënjeve miqësore mes kombeve, organizatë e cila është krijuar me qëllim të parandalimit të luftrave, nuk ka në kthetrat e saj vendin i cili edhe rezistencën e bëri për ta siguruar paqen!

Qëndrimi i Rusisë, si vend me pozicion të përhershëm në Kombet e Bashkuara, varet nga raporti i tyre me Serbinë, ndërsa qëndrimi i Serbisë, varet nga raporti me Republikën e Kosovës. Prandaj kjo është një padrejtësi e “ligjshme” e Institucioneve ndërkombëtare të cilat kanë lënë tërë fatin e Kosovës, nën varësinë e raporteve me Serbinë. Pra, kjo lë për të kuptuar se pa u përmirësuar raportet me Serbinë, ne medoemos duhet të mbetemi të bllokuar. Në suaza normale, nëse demokracia do të funksiononte ashtu siç promovohet, do të duhej të lihej një linjë qarkulluese për raste specifike siç është Kosova, që të mos bllokohet vetëm nga vota e Rusisë!

Republika e Kosovës ka kaluar testet e promovimit të paqes dhe raporteve të mira fqinjësore, prandaj si e tillë meriton ti hapen dyert!

Elbasan Osmani – Master i Integrimeve Evropiane

loading…