Targat

Dita e fundit për regjistrimin e targave, kërkohet shtyerja e afatit

Ministria e Punëve të Brendshme tregoi se nesër skadon afati për regjistrimin e veturave të cilat kanë targa ilegale, sipas vendimit ato targa duhet të konvertohen në targa “RKS”.

Ndërsa Veton Elshani, ushtrues detyre i drejtorit të Policisë për rajonin e Mitrovicës veriore, tha se kanë paraqitur kërkesë që ky afat të shtyhet edhe për 15 ditë.

“Duke parë situatën si është këtu, interesimin e madh të qytetarëve, kontrollave teknike që po na dalin, ne si polici e kemi bërë një kërkesë te Ministria e Punëve të Brendshme, që të vazhdohet edhe për 15 ditë”, tha ai.

Elshani për Klankosova.tv shtoi se në rast se nuk pranohet kjo kërkesë e tyre, vendimi do të zbatohet.

“Në rast se nuk kemi ndonjë vendim tjetër për vazhdimin e regjistrimit, nesër ne do të fillojmë me zbatimin e ligjit të trafikut. Në momentin që shohim një veturë të tillë (me targa ilegale), ne i japim një tiketë dhe i marrim targat, dokumentet, dhe i themi që hiqe kerrin dërgoje në shtëpi”, shtoi Elshani.

Ai theksoi se nëse përsëri hasin në veturën e njëjtë ajo konfiskohet me merimangë.

Ndërsa gjithashtu tregoi se policia nuk ka marrë masa shtesë që ky vendim të zbatohet pa tensione ose rezistencë.

“Nuk kemi marrë masa shtesë, ne kemi policë të mjaftueshëm në veri të vendit”.

Elshani theksoi se veturat do të ndalen një nga një, dhe jo në grumbull, në mënyrë që kolona të mos e bllokojë veriun e  vendit.