Kryeministri Albin Kurti sot zhvillon ditën e dytë të vizitës zyrtare në Amerikë.
Në ditën e parë të vizitës, ai është takuar me drejtoreshën e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.
Kurti tha se me Albright ka biseduar për nisjen e negociatave të Kompaktit të Kosovës, e të cilën e ka falënderuar për punën e palodhshme të MCC-së për të mundësuar Kompaktin.
“Një nder i veçantë për t’u takuar@MCC_CEO Znj. Alice Albright dhe për të nisur negociatat të Kompaktit të Kosovës. E falënderova për punën e palodhshme të MCC-së për të mundësuar Kompaktin, i cili do të bëhet investimi më i madh në sektorin e energjisë në Kosovë dhe që ripohon lidhjen e ngushtë që ndajnë vendet tona”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Në njoftimin e Qeverisë bëhet e ditur se gjatë qëndrimit në ShBA, kryeministri do të takohet me zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave, si dhe komunitetin shqiptaro-amerikan.
Por Zyra e Kryeministrit nuk ka dhënë detaje se me cilët zyrtarë të lartë amerikan do të takohet Kurti dhe sa do të qëndrojë në SHBA.
Ndërsa vet Kurti javë më parë deklaroi se në Amerikë do të qëndrojë 10 ditë apo dy javë.
Kujtojmë se kryeministri Kurti së bashku me presidenten Vjosa Osmani ishin edhe ditë më parë në SHBA për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit e ish-Sekretares Albright, ku takuan dhe u fotografuan me Sekretarin Blinken, ish-presidentin Clinton, ish-kongresmenin Engel, ish-sekretaren Hillary Clinton.







