Dita Botërore e Mbipeshës shënohet edhe në Mitrovicë

Organizata për zhvillimin e shoqërisë (CDO) në Mitrovicë në bashkëpunim me organizatat ‘FES’ dhe ‘Human Care’, kanë organizuar sot aktivitete të ndryshme në Ditën Ndërkombëtare kundër stigmatizimit të obezitetit-mbipeshës.

Në qendër të qytetit të Mitrovicës janë ofruar kontrolle mjekësore falas për një numër të konsiderueshëm të qytetarëve, siç janë glikemia, tensioni i gjakut, BMI dhe të ngjashme, ndërsa vullnetarët e këtyre organizatave kanë shpërndarë edhe broshura informuese për të promovuar zgjidhje praktike kundër mbipeshës.

Merita Mripa, menaxhere e programeve në CDO, ka bërë të ditur për KosovaPress se shoqëria kosovare në përgjithësi duhet pasur kujdes në përdorimin e gjuhës dhe imazheve negative rreth obezitetit.

Sipas saj, ka ardhur koha që përfundimisht t’i thuhet JO diskriminimit të njerëzve për shkak të peshës. Ajo porositi që ndërgjegjësimi rreth kësaj teme të mos ndodhë vetëm një ditë, por të vazhdoj gjatë gjithë vitit.

Në anën tjetër, Naser Fejza, qytetar, ka falënderuar organizatën CDO për kujdesin ndaj qytetarëve, sidomos të sëmurëve, duke thënë se aktivitete të tilla duhet të organizohen më shpesh dhe në mbarë vendin./KP/