Policia e Kosovës është e njohur për skandalet dhe keqpërdorimet brenda këtij institucioni, nga vjedhja në Dhomën e Dëshmive e deri tek policët e komandantët e kapur me korrupsion e ryshfet.
Prezentë në Policinë e Kosovës tash e ndër vite është edhe diskriminimi, ku komandantë, rreshter e policë gradohen e ngritën nëpër pozita nëse janë të lidhur me pushtetin dhe partitë politike.
Mirëpo, Metro mëson se ky diskriminim po vazhdon, tani kur bëhet fjala për ndarjen e mjeteve shtesë të policëve që ju takon nga ana e Qeverisë së Kosovës për shkak të parandalimit të përhapjes COVID-19.
Policët hetues që janë brenda këtij institucioni, janë hequr plotësisht nga lista për marrjen e shtesave prej 100 eurove pa ndonjë paralajmërim, pavarësisht që ju takon sipas një vendimi të marrë nga kryeministri Avdullah Hoti me 25 shtator të këtij viti.
Hetuesit policor përballen me rrezik të infeksionit të virusit COVID-19, sikurse kolegët e tyre që janë në terren, ku për çdo ditë intervistojnë të dyshuar, marrin pjesë në aksione policore si bastisje e thirrje për asistencë kur ka grabitje apo ndonjë vepër tjetër, po ashtu punë e tyre e përditshme është edhe shkuarja në Gjykatë për të marrë autorizim nga prokurori për raste të ndryshme.
Nuk dihet pse Drejtoria e Policisë ka vendosur që ky sektor brenda policisë të largohet nga shtesat, mirëpo deri tani nuk është dhënë ndonjë sqarim dhe arsye për largimin e tyre pa të drejtë.
Ndryshe, për pagesën e shtesës mbi pagën bazë, në vlerë prej 100 Euro në muaj, Qeveria e Kosovës ka ndarë ato mjetet dhe ju takojnë këtyre policëve.







