Disa punëtorë të Gjykatës Themelore të Gjilanit intervistohen nga hetuesit për disa konkurse

Disa konkurse për punësim në Gjykatën Themelore të Gjilanit duket se kanë shkuar aq keq saqë aty është përfshirë edhe policia dhe prokuroria.

Burime të Ballkani.info bëjnë të ditur se disa punëtorë të Gjykatës së Gjilanit janë marrë në pyetje për shkak të supozimeve se ka pasur dallevere me disa konkurse. Këto burime nuk kanë mundur ta specifikojnë saktësisht se për cilat konkurse bëhet fjalë, por hetimi dhe intervistimi ka ndodhur.

Një burim tjetër brenda Gjykatës Themelore ka thënë për Ballkani.info se këta persona kanë dhënë intervistë para hetuesve si dëshimtarë.

Megjithatë, Ballkani.info ka dërguar pyetje në Gjykatën Themelore të Gjilanit, por përgjigje nuk ka marrë ende.

Për këtë zhvillim Ballkani.info do t’ju mbajë të informuar. /Ballkani.info/