Për shkak të një defekti në furnizim me energji elektrike, ekipi i ndërresës së dytë të minatorëve në Stantërg ka mbetur i ngujuar për orë të tëra. Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”, Faton Ahmeti, tha se kjo është hera e dytë brenda muajit që u ngjan minatorëve të Stantërgut

Për gati 7 orë, grupi i ndërresës së dytë të minatorëve ka mbetur i ngujuar brenda Minierës së Stantërgut të dielën mbrëma, si shkak i një defekti të furnizimit me energji elektrike.

Minatorët e ngujuar kanë qenë të shpërndarë në horizonte të ndryshme.

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi, tha se këto dukuri kanë nisur të shpeshtohen brenda ndërmarrjes.

“Vetë të qëndruarit për 8 orë në punë fizike, në kushte të rënda të mikroklimës, e bën të vështirë dhe jashtëzakonisht të rëndë. Mirëpo ngarkesa tjetër që, në vend se të kthehen nga procesi i punës i lodhshëm dhe shumë i ndikueshëm në aspektin e kushteve me shku te shpija, duhet të ballafaqohesh edhe me të papriturat që janë jashtëzakonisht shumë të shpeshta si rezultat i mosinvestimeve”, tha Januzi. 

Ai nuk qe në gjendje të tregonte për numrin e minatorëve të ngujuar, derisa ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”, Faton Ahmeti, tha se kjo është hera e dytë brenda muajit që u ngjan punonjësve.

Minatorët në Stantërg kohëve të fundit kanë shprehur pakënaqësi edhe për kushtet e punës, vonesat e pagave e të tjera. /koha.net/