Për shkak të qëndrimeve diametralisht të kundërta në mes të Kosovës dhe Serbisë për rastin e sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, ish-ndihmës sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Thomas Countryman, beson se palët duhet të pajtohen për një hetim objektiv për këtë ngjarje tragjike.

E ky hetim sipas diplomatit amerikane duhet të udhëhiqet nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit.

“EULEX-i duhet të marrë në pyetje Radojiçiçin për rolin e tij. Është hapi i duhur kur ka dhunë, kur njerëzit kanë sasi masive armësh përreth. Prandaj duhet një hetim dhe pastaj pas hetimit nëse është e nevojshme të ngrihet aktakuzë. Gjithashtu, pjesëmarrësit e asaj ngjarjeje nuk duhej të quheshin menjëherë heronj. Kështu duhet të jetë në çdo komunitet modern”, ka thënë ai në një intervistë për Zërin e Amerikë.

Duke folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Countryman thekson se Kosova duhet ta përmbushë një obligim që e ka marrë përsipër 10 vjet më parë – Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“ Nuk është e lehtë për Kosovën ta përmbushë atë premtim, por duhet bërë. Ka gjithashtu hapa që duhet të ndërmarrë Beogradi. Por kjo nuk mund të shihet gjithmonë si një transaksion, unë nuk do të bëj një lëvizje derisa ta bëni ju së pari. Të jesh lider do të thotë të punosh në interesin më të mirë të vendit tënd dhe nuk e shoh llojin e lidershipit që na duhet të ecim përpara”, shton ai.

Sipas tij në këtë fazë është koha që të diskutohet çështjet reale në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Marrë për bazë faktin se lufta në Ukrainë dhe së fundmi ngjarjet në Lindjen e Mesme kanë marrë vëmendje absolute, Countrymend, beson se as situata në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të injorohet.

“Nuk mendoj se është në interesin e Beogradit dhe Prishtinës që të krijojnë dhunë dhe tensione shtesë në Kosovë. Tashmë nuk ka arsye për dhunë në Kosovë. Është në interesin më të mirë të të dy vendeve që politikanët të ulin tonin e retorikës ”, potencon ai.