Dimal Basha e kishte dorëzuar së bashku me autoren maqedonase Jana Arsovska artikullin e botuar në vitin 2012, në të cilin, ndër të tjera, thuhej se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) kishte bashkëpunuar me baronë të drogës.
Këtë e ka konfirmuar Olivier Dehoorne, Drejtor i Revistës Etudes Caribéennes ku është publikuar punimi i Bashës me Arsovskan, në një përgjigje për VOX Kosova, i cili ka shpjeguar se kur dorëzohet një artikull me bashkautorësi nuk kërkojnë detaje se cili autor cilën pjesë e ka shkruar, por se ata e dorëzojnë bashkë artikullin.
Ky konstatim rrëzon pretendimet e kryekuvendarit, i cili thoshte se nuk e ka lexuar artikullin dhe se nuk ka pasur dijeni për pjesën ku kriminalizohej UÇK-ja, por se gjoja kontributi i tij në këtë punim ishte i kufizuar vetëm në kapitullin e tretë, me titull “Globalizmi në Ballkanin Perëndimor: Krimi transnacional, islami fundamentalist dhe aleancat e padrejta”.
“Kur dorëzohet një artikull kolektiv, ne nuk kërkojmë detaje mbi pjesën e shkrimit që ka bërë secili autor. Kjo është çështje e brendshme. Prandaj nuk jemi në gjendje t’ju tregojmë se cili ka qenë kontributi i secilit prej autorëve. Ata e dorëzojnë artikullin së bashku”, ka thënë Dehoorne për VOX Kosova.
Opinioni publik për punimin skandaloz të Bashës u njoftua pasi që i njëjti u zgjodh Kryetar i Kuvendit. Basha u përpoq që të distancohej duke thënë se nuk e kishte lexuar artikullin dhe se kontributi i tij kishte qenë vetëm në kapitullin e tretë, ku flitej për islamin radikal në Evropën Juglindore.
“Kapitulli 3 ka qenë fusha ku unë kam studiu dhe kam qenë ekspert i çështjes. Prej meje më është kërku një kapitull për fushën që ti ki hulumutime. E kam dorëzu me bindjen që ka me u publiku kapitull i veçantë, po jo se do të del bashkautorësi. Unë s’kisha pranu me qenë bashkautor. Në asnjë moment nuk e kam ditë që do të publikohet bashkautorësi”, thoshte Basha më 1 shtator.
“Kjo ka qenë në vitin 2012 dhe nuk e kam lexu kurrë, hera e parë ka qenë këtu që e kam lexu. Pajtohem që është dashtë me kanë ma i kujdesshëm, s’e kam lexu atë artikull kurrë. Po pajtohem se du me mbajt një barrë të përgjegjësisë. Në asnjë moment s’e kam pa artikullin që ka dalë. Pajtohem dhe kërkoj falje për pakujdesinë time. Pajtohem që duhet me u akuzu që kam qenë i pavëmendshëm dhe pakujdesshëm. Unë kam dërgu imellën ku them që ju lutem e tërhiqni edhe kapitullin edhe emrin tim”, shtonte.
Më pas, ai njoftoi se ka kërkuar që të largohet emri i tij si bashkautor në artikullin kundër UÇK-së. Ndërsa, më 24 shtator, Basha njoftoi se është larguar emri nga punimi i përbashkët me autoren maqedonase.
Se iu është larguar emri nga punimi, e konfirmoi edhe Drejtori i Revistës Etudes Caribéennes.
“Në këtë rast, autori na ka kërkuar të fshijmë kontributin e tij në artikull. Për këtë arsye kemi hequr emrin e tij dhe pjesën e tretë të tekstit, në marrëveshje me autorin e dytë”, theksoi Dehoorne.
Pasi që u opinioni publik u njoftua me këtë punim, Organizata e Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pjesëtarë të shoqërisë civile kërkuan dorëheqjen e Bashës.
Madje, ndaj tij u bë edhe një kallëzim penal dhe padi civile nga Agim Pllashniku, ish-ushtar i UÇK-së.
Në mbrojte, Bashës i kishin dalur kolegët e tij nga Lëvizja Vetëvendosje, përfshirë kryeministrin në detyrë, njëherit edhe Kryetar i VV-së, Albin Kurti.







