“Dilemat e Tranizicionit”, libri që flet për fenomenet shoqërore, nga vetëvrasja deri te muzika tallava

Libri “Dilemat e Tranzicionit” është libri i dytë i sociologut Ferdi Kamberi. Ky libër, i ndarë në pesë kapituj, trajton fenomene bashkëkohore të shoqërisë sonë (moderne) duke i krahasuar me shoqëritë e tjera. Secili koment i trajtuar në këtë dorëshkrim ka një domethënie të veçantë kalendarike në zhvillimet e tranzicionit kosovar dhe atij ballkanik.

Në këtë intervistë, autori i librit shpalosë temat të cilat i ka trajtuar në libër.

Ballkani.info: Z.Kamberi, pse keni vendosur ta titulloni librin “Dilemat e Tranzicionit”, a ka shoqëria kosovare dilema për tranzicion?

FERDI KAMBERI: Libri “Dilemat e tranzicionit” si ide ka lindur diku para tri viteve më parë, atëherë kur edhe fillova që të reflektoj mbi përmbledhjen e një libri të tillë. Tranzicioni është një proces i transformimit të një sistemi nga një sistem i mëparshëm dhe si i tillë apriori nënkupton edhe aspektin politik, ekonomik, social dhe kulturor. Shoqëria kosovare akoma nuk e ka kaluar këtë periudhë dhe ndoshta është një ndër ato shoqëritë ku ky proces është tej zgjatur ndoshta edhe si rezultat i shumë faktorëve qofshin ato politik, ekonomik apo social. Prandaj, shpërfaqja e një sërë fenomenesh sociale të cilat kanë atakuar individin, komunitetin dhe shoqërinë ka dhënë një sinjal se ka një sërë dilemash të cilat janë shpërfaqur nga ky tranzicion dhe si i tillë është duke e sfiduar shoqërinë shqiptare në përgjithësi!.

Ballkani.info: Ky libër është i ndarë në pesë kapituj, njërin prej tyre ia keni kushtuar martesave të hershme, divorcit, strukturës së familjes dhe krizës së vlerave. Si është trendi i divorcit në Kosovë dhe a ndikojnë martesat e hershme në rritjen e këtij trendi?

FERDI KAMBERI: Libri në fakt përmbledhë 5 kapituj me tema/ese të ndryshme të cilat janë elaboruar në kuadër të këtyre kapitujve. Një pjesë e eseve janë publikuar, por gjithsesi se janë elaboruar me të dhëna primare, sekondare dhe terciare, ato janë pasuruar me referenca të shumta, të cilat për audiencën shqiptare janë një letërnjoftim i pasur mbi fenomenet shoqërore, shkaqet, pasojat dhe tabloja se si të minimizohen apo zgjidhen këto fenomene. Sociologët janë mjekë të shoqërisë dhe për ta rëndësi kanë përveç tjerash edhe raportet ndër shoqërorë dhe për këtë qëllim fokusi më i madh i sociologëve është pikërisht tek agjenset e socializimit, ku bënë pjesë edhe familja si agjens i parë i socializimit. Për këtë qëllim, kapitulli i parë kryesisht i kushtohet më shumë aspektit të familjes si bërthamë e shoqërisë, martesës si institucion i veçantë, pastaj fenomenologjisë si divorcit dhe numrit të madh divorceve ku mesatarja e divorceve në Kosovë është mbi 1000 raste, të cilat janë sfidë për shoqërinë. Edhe pse në fakt ky fenomen është e drejtë e individit dhe rregullohet me legjislacionin në fuqi, aspekti social dhe psikologjik i këtij fenomeni ka rëndësi të madhe si për individin po ashtu edhe për familjen, sidomos kur çiftet kanë edhe fëmijë. Prandaj, në këtë kapitull jemi fokusuar edhe tek shkaqet e divorcit, problemet me martesat e hershme, të cilat në një ose tjetrën mënyrë reflektojnë tek ky fenomen, si dhe shumë çështje të tjera, të cilat me siguri se lexuesi shqiptarë do të jep vlerësimin e tij/saj.

Ballkani.info: Sa kanë ndikuar divorci, martesat e hershme dhe të gjitha këto në ndryshimin e strukturës së familjes kosovare?

FERDI KAMBERI: Sot, jemi dëshmitarë që martesat nuk zgjasin edhe aq shumë, pastaj predispozitat janë se në pjesën më të madhe të rasteve hyrja në martesë të hershme, individët janë akoma të pa pjekur dhe mund të rezulton në shumë probleme dhe sfida. Nga kjo del se ka disa ndryshime në strukturën e familjes përfshirë aspektin pozitiv dhe atë negativ. Në aspektin pozitiv ndryshime në familje që kanë ndodhur janë: Emancipimi i gruas dhe fuqizimi i pozitës së saj në shoqëri, vetëdijesimi i shoqërisë për të drejtat, sidomos grave, barazia gjinore, etj. Ndërsa, në aspektin negative disa nga ndryshimet që kanë ndodhur tek struktura e familjes, janë: Periudha e luftës ka ndikuar në ndryshimet e familjes dhe atë dukshëm, imitimi i vlerave të huaja pa seleksionim ka bërë që struktura e familjes të ketë divergjenca, emigrimet në relacionet fshat- qytet, rritja e dhunës në familje, etj.

Ballkani.info: Përveç me ndryshim të struktures së familjes, ju vlersësoni se shoqëria jonë po përballet edhe me një krizë të vlerave dhe identitetitare. Çfarë e shkaktoi këtë krizë?

FERDI KAMBERI: Pas vitit 1999 e këndej shoqëria kosovare është ballafaquar me shumë probleme dhe sfida të cilat e kanë përcjellë në vazhdimësi. Ndryshimet dhe zhvillimet sociale, përveç disa aspekteve pozitive, kanë sjellë edhe një mori fenomenesh të cilat dikur pak ose fare kanë qenë të pranishme tek shoqëria jonë. Sot, mund të thuhet se shoqëria kosovare vuan nga një hedonizëm e cila shpërfaq një krizë të vlera, vlera këto të cilat reflektojnë tek kriza e identitetit. Sipas Albert Bandurës ne shpesh mësojmë qëndrimet duke vëzhguar dhe imituar veprimet dhe qëndrimet e modeleve sociale. Kjo do të thotë se sot më shumë libri shikohet se sa lexohet, mediet më shumë shfaqin tituj bombastik se sa përmbajtje të një edukimi medial, muzika më shumë shikohet se sa dëgjohet, ngacmimet seksuale janë të pranishme goxha dhe njerëzit vihen në pozita të pafavorshme si rezultat i tyre. Koncepti filozofik i moralit dhe etikës pothuajse janë zbehur, puna realizohet por pa vullnet pa motiv, ka imitime të shumta, por jo vlerë, pothuajse është duke shkuar kah një kiç/shound i cili është e kundërta e vlerës.

Ballkani.info: Një kapitull të këtij libri ia keni kushtuar fenomenit të vetëvrasjeve dhe bullizmit. Cilët janë nxitësit e vetëvrasjes, a është edhe bullizmi njëri prej tyre?

FERDI KAMBERI: Libri trajton një çështje mjaftë komplekse dhe të ndjeshme në hapësirat kosovare, fenomenin e vetëvrasjes i cili fenomen ka qenë edhe më herët i pranishëm në shoqërinë kosovare, por tashmë është rritur dukshëm dhe sipas të dhënave të cilat i kemi paraqitur në libër prej pas përfundimit të luftës e deri më tani janë të evidentuara mbi 786 raste të vetëvrasjeve dhe 2,494 raste të tentim vetëvrasjes, që i bie se mesatarja në Kosovë në vit ka qenë dikur 60 vetëvrasje dhe 191 tentim vetëvrasje (për këto 13 vite), e nëse e krahasojmë me numrin e banorëve të Kosovës, atëherë kjo dukuri na del tepër e lartë. Ndërsa disa burime të tjera pohojnë se, nga viti 2001 e deri në vitin 2016 janë shënuar 935 raste të vetëvrasjes, të dhëna këto të cilat mendohet se janë të raportuara. Disa nga faktorët e shpërfaqjes së këtij fenomeni janë: faktorët socio-ekonomik (papunësia dhe varfëria), bullizmi, stigmatizimi në shoqëri, depresioni, stresi post-traumatik, mungesa e qendrave për rehabilitim shpirtëror, zbehja e komunikimit në familje, si dhe faktorë të tjerë. Madje, ne kemi bërë edhe disa sugjerime të cilat do të ndikonin në minimizimin e këtij fenomeni.

Ballkani.info: Cili duhet të jetë roli i familjes dhe i shoqërisë në parandalimin e vetëvrasjeve?

FERDI KAMBERI: Marrë parasysh faktin që familja është celulë e shoqërisë dhe sipas Parsonsit është fabrikë e cila prodhon personalitete njerëzore, ajo ka një rol me rëndësi në parandalimin e vetëvrasjes dhe ky rol fuqizohet vetëm me çështje të komunikimit brenda familjes. Kjo për shkak se prej funksioneve të familjes janë funksioni: riprodhues, socializues, edukues, kulturor, mbrojtës, ekonomik, etj, funksioni socializues luan një rol me rëndësi i cili zhvillohet përmes komunikimit. Madje, si familja që mund t’i vëren simptomat/shenja depresive të individit pothuajse askush nuk mundet më i vërejte. Prandaj, komunikimi brenda familjes dhe përkrahja në familje është një mekanizëm i fuqishëm i cili ndikon edhe në aspektin social por edhe psikologjik në parandalimin e këtij fenomeni, pa përjashtuar këtu edhe ndikimin e një sërë akterëve të tjerë, si: qendrat e trajtimit shpirtëror, faqe ndihmuese “nuk je vetëm”, ku një psikolog mund të komunikojë me individët të cilët mund të kenë probleme të ndryshme, institucionet gjegjëse, etj.

Ballkani.info: Diçka që më ka bërë shumë përshtypje është fakti që ju keni zgjedhur ta trajtoni edhe muzikën ‘tallava’. Cili është efekti i këtij ‘zhanri’ të muzikës në kulturën kosovare?

FERDI KAMBERI: Muzika tallava është një nga ato zhanret e cila gjenë hapësirë tek ne qysh në vitet 60-ta dhe është manifestuar kryesisht nga romët, por me kalimin e kohës ajo është bërë pjesë e popujve tjerë të Ballkanit përfshirë këtu shqiptarët. Sot, ka diskutime mbi atë se çka është kjo muzikë dhe sa dëgjohet. Përgjigja është se në aspektin sociologjik, kjo muzikë është një shound/kiç, por që është komercializuar nga këngëtarët viteve të fundit shumë, për shkak se ka sjellë edhe të mira materiale (para, dhurata, etj), por ka ndikuar edhe në aspektin psikologjik të audiencës. Mjafton që të klikojmë në kanalin e youtubes dhe të shohim dasmat dhe ahengjet të cilat bëhen në mjediset tona dhe kuptojmë se ky zhanër është i pranishëm. Në Shqipëri është shumë zhanër i dëgjuar, megjithëse edhe në Kosovë e Maqedoni dëgjohet shumë. Prandaj, pavarësisht shijes së muzikës, sepse tek e fundit njerëzit kanë shijet e ndryshme për muzikë, kjo muzikë është duke u rritur gradualisht dhe po determinon ndaj zhanreve tjera.

Ballkani.info: Në librin tuaj e keni përmendur edhe internetin, të cilin ju i referoheni si “shkopi magjik”. A po e përdorim ne internetin apo interneti neve?

FERDI KAMBERI: Psikologët shkopin magjik – internetin e kanë quajtur “vrasës në heshtje”, ku janë referuar tjetërsimit të individit që bën interneti. Në fakt, interneti është një revolucion në vete dhe ka bërë njerëzit të thyjnë barrierat prej një skaji të botës në skajin tjetër. Por, varësia nga interneti, keqpërdorimi i tij ka bërë që të ndikon dukshëm tek shoqëria jonë. Madje, shpeshherë në mjediset tona sociale më shumë i kushtohet rëndësi rrjeteve sociale se sa komunikimit. Për këtë qëllim sociologët tërheqin vërejtjen se nëse nuk shfrytëzohet racionalisht interneti mund të sjellë pasoja të shumta përfshirë ato: individuale, sociale, fizike, psikologjike dhe shëndetësore.

Ballkani.info: Kur jemi te interneti, do të doja të flisnim pak edhe për lajmet e rreme, të cilave interneti u ka dhënë hapësirë e mundësi për krijim e shpërndarje. Sa është në gjendje lexuesi kosovar të dallojë lajmet e rreme dhe të mbrohet prej tyre?

FERDI KAMBERI: Në mënyrë telegrafike në pyetjen e mësipërme përmenda rreziqet e internetit, padyshim se një ndër rreziqet më të mëdha edhe “lajmi i rremë/fake news” i cili jo vetëm në Kosovë, por në gjithë botën po ndikon dukshëm tek shoqëri me manipulime të ndryshme, duke bërë që njerëzit të ndihen të pasigurtë, të ketë probleme të brendshme, rritje të partive ekstreme, rritje të ekstremizmit dhe terrorizmit, e të tjera. Sipas Chomskit mediet përdorin strategji për manipulimin e masës, duke përdor këtu edhe fakë news me qëllim të shpërqendrimit nga problemet ditore. Në rastin e Kosovës kemi parë që fake news është rritur dukshëm dhe për këtë gjë akoma nuk merr përgjegjësi askush. Në vendet e BE-së si Franca dhe Gjermania, kanë krijuar ligje të veçantë mbi sanksionimin apo penalizimin e individëve dhe medieve të cilat lansojnë lajme të tilla. Në fakt, asnjë nga ne nuk është i përjashtuar nga ndikimi i lajme të tilla të rreme. Mirëpo, ekspertë të cilët merren me këto gjëra sugjerojnë që një lajm të tillë duhet ta analizojmë dhe vërtetojmë, të dimë burimin e lajmit, të shohim se a është i njëjti lajm edhe në mediumet tjera, e kështu me radhë. Në të kundërtën fake news mund të prodhon pasoja të shumta tek publiku.

Ballkani.info: Demokracia është një tjetër temë e trajtuar në librin tuaj. A po jetojmë sot në demokraci?

FERDI KAMBERI: Konsideroj se demokracia tani është në fazën e fundit të evolucionit ideologjik në atë që profesori i njohur Fukyama kishte potencuar qysh herët. Ky sistem ideologjik – politik nuk është forma më ideale e qeverisjes, por deri më tani njerëzimi nuk ka pasur ndonjë formë tjetër më të mirë. Andaj, shekulli në të cilin po jetojmë do të jetë sfidues i vërtet i këtij sistemi, sepse shumë parti politike në Europë dhe më gjerë janë duke e shfrytëzuar si instrument demokracinë për rritjen e populizmit, ekstremizmit politik dhe fetar, si promovimin e racizmit. Pjesa më e madhe e vendeve të botës kanë përqafuar këtë sistem dhe ky sistem deri më tani ka promovuar paqen, prosperitetin, stabilitetin ekonomik dhe politik, promovimin e të drejtave të njeriut, si dhe çështje të tjera me interes të përgjithshëm shoqëror. Mirëpo, në anën tjetër, sistemi ka munduar që një “oligarki” të qeverisë mbi shumicën dhe në një ose tjetrën mënyrë pikërisht kjo oligarki vendos për fatin edhe të shumicës.

Ballkani.info: Cili është roli i gruas kosovare në këtë sistem dhe sa ka ndryshuar ky rol?

FERDI KAMBERI: Libri trajton esetë mbi rolin e gruas në vendimmarrje dhe politikbërje, duke paraqitur kështu gjendjen aktuale të grave në zhvillimin e shoqërisë dhe të shtetit të Kosovës. Në fakt, qysh herët gruaja ka pasur një rol me rëndësi dhe pothuajse asnjëherë ajo nuk ka marr një “mirënjohje” mbi rolin e saj gjatë historisë, sidomos në shtyllën e familjes dhe ruajtjen e identitetit kombëtar te shqiptarët. Së fundi, kemi parë disa ndryshime pozitive në emancipimin e gruas dhe ajo sot nuk shihet vetëm si grua e cila dikur është akceptuar se do t’i kryente detyrat e shtëpisë, por ajo është zë i fuqishëm edhe në politikë, vendimmarrje, medie, arsim, punë, etj. Mirëpo, konsiderojmë se akoma ka nevojë për të bërë progres, sidomos në çështjen e trashëgimisë (dhënies së pasurisë) ndaj saj. Çështjet të cilat i preokupojnë sociologët janë edhe çështja e seksizmit e cila në sistemin patriarkal gjenë një hapësirë të madhe. Prandaj, pavarësisht një progresi dhe roli konstruktiv të gruas në shoqëri dhe shtet, ajo ballafaqohet me një sërë problemesh, ndër to edhe me portretizimin e saj vetëm si objekt seksual, ngacmimet e shumta, pabarazinë e saj, si dhe çështje të tjera, për të cilat si shoqëri kemi nevojë që t’i shtyjmë përpara. Prandaj, libri trajton një ese e cila thekson rolin e saj në vendimmarrje, problemet dhe sfidat.

Ballkani.info: Libri juaj i parë ishte “Fundamentalizmi i religjioneve të mëdha monoteiste dhe globalizmi”, edhe kësaj radhe keni zgjedhur të shkruani diçka për religjionin, më saktësisht për përplasjen e religjionit me sekularizmin, kush po e fiton këtë përballje?

FERDI KAMBERI: Është një pyetje e cila nuk mund dot të përmblidhet me pak fjalë. Çështja e fesëështë një ndër çështjet më komplekse e cila duhet trajtuar nga dioptria sociologjike për shkak se ka ndikim në ndërtimin e personalitetit të njeriut dhe si e tilla është pjesë e UNIT dhe identitetit të tij. Feja ështëçështje cila ka përcjellë njeriun në vazhdimësi dhe ka ndikuar në aspektin shpirtëror të tij, mirëpo instrumentalizimi i fesë për çështje politike, ekonomike apo kulturore mund të sjellëpasoja. Sekularizmi në anën tjetër, është thjeshtë shkëputja e fesë prej shtetit dhe anasjelltas. Shumica e vendeve perëndimore janë sekulare, megjithëse feja praktikohet lirshëm konform të drejtave dhe lirive të njeriut. Libri i parë trajton pikërisht këto fenomene, megjithëse edhe në librin e dytë kemi shkëputur disa ese të cilat janë të rëndësishme për të parëçështjen e ndikimit të fesë, sekularizmin, islamo-fobinë apo religjiozo-fobinë, raportin në mes të religjionit dhe konfliktit dhe çështje të tjera. Pra, përmes shtjellimit të eseve të tilla, synojmë që të tërheqim vëmendjen se për fenë duhet debatuar dhe është mese e nevojshme për shkak të diversitetit fetar që kanë shqiptarët, por edhe si nevojë e një diskursi social mbi interpretimet “kallëp” të doktrinave fetare nga njerëz jo kompetentë të cilët në një ose tjetrën mënyrë kanë shkaktuar konfuzion psikologjik tek publiku. Prandaj, mesazhi të cilin ne e përçojmë përmes eseve të trajtuara në këtë libër është fakti që shqiptarët kanë pasur një bashkëjetesë tëkonfesioneve fetare e cila është manifestuar dhe ruajtur deri më tani dhe të njëjtën gjë duhet ta vazhdojmë edhe më tej, nëse dëshirojmë që të kemi një shoqëri stabile me një mozaik të tillë fetar.

Ballkani.info: Kush ka ndihmuar në botimin e këtij libri?

FERDI KAMBERI: Libri është ndihmuar pjesërisht nga komuna e Prishtinës – sektori i rinisë dhe kulturës, të cilin e falënderojmë dhe shprehim mirënjohje për pasurimin e sfondit të bibliotekave shqiptare. Redaktor i librit është Arsim Murseli, libri është shtypur nga shtypshkronja Grafit. Shp.k dhe botuar nga libraria Artini. Recensentët të librit janë: Ermir Hoxha kryeredaktor nga portali tesheshi.com, profesoresha Ilire Zajmi Rugova, sociologu Avni Rudaku dhe studiuesi i krahasimit të religjioneve Imran Rasimi.

Ballkani.info: Kujt i shërben libri juaj?

FERDI KAMBERI: Konsideroj se libri synim ka një audiencë të gjerë duke përfshirë këtu: të rinjtë, organizatat jo qeveritare, mediet, studentët, komunitetin e akademikëve, profesorëve, si dhe shoqërinë e gjerë.

Ballkani.info: Ku mund ta gjejnë librin tuaj të gjithë ata që duan ta kenë në bibliotekën e tyre personale?

FERDI KAMBERI: Libri mund të gjendet tek shtëpia botuese Artini në Prishtinë, në libraritë tjera të Prishtinës dhe qyteteve tjera, si dhe jashtë Kosovës.

loading…