Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, sot ka marrë vëmendjen e mediave në saje të një vizite të zhvilluar te fermerët e fshatit Novolan në Vushtrri. Gjatë kësaj vizite, Peci i ka dhënë traktorit dhe ka takuar e zhvilluar biseda me fermerë të këtij fshati.
Ai ka qëndruar te bujku Sinan Behrami, ku ka thënë se është njohur nga afër me procesin e punës për kultivimin e patetes.
“U njoha nga afër me gjithë procesin hap pas hapi dhe pashë se si një familje e tërë i përkushtohet arës së vet, duke besuar të mbledhin frytet e punës së tyre. E gjithë familja Behrami ishin shembull i bujqëve të vyer e kjo më frymëzon që edhe unë detyrën time si Ministër i Bujqësisë ta dua çdo ditë e më tepër”, ka shkruar Peci.
Pas publikimit të postimit, Pecit në hapësirën e komenteve i kanë arritur qindra komente.
Një qytetar me emrin Dardan Lushtaku, ka kërkuar nga Peci që ta vizitojë edhe Drenicën.
“Dil kah Drenica pak ministër!”, ka shkruar ai.

Peci është përgjigjur: “po, me kënaqësi. A ke ndonjë propozim për vizitë?”.
Një koment tjetër, të cilit Peci i është përgjigjur, ishte më specifik dhe lidhej me aktivitetin që zhvilloi sot ai.
“Me cilën po frezat ministër?”, ka pyetur komentuesi me emrin Simon Palushi.

Peci është përgjigjur: “me njërin frezatum e me tjetrin mbjellëm”.
Peci po ndjek një strategji atraktive në rrjetet sociale. Ai po shoqëron njoftimet me ‘emoticons’-a si dhe po kthen komentet sa për ta bërë më dinamik ndërveprimin e njerëzve në faqen e tij në Facebook.







