Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Rajonale KRM “Uniteti” në Mitrovicë, Gazmend Morina, thotë se gjendja financiare e KRM ‘Uniteti’ është shumë e rendë si pasoje e keqmenaxhimit dhe keqpërdorimeve nga menaxhmenti i kaluar.
“Dhjetëra punëtorëve u jane borxh nga 3-10 paga, ndërsa disave u jane dhënë kundërligjshëm akontacione, pra paradhënie pa asnjë bazë ligjore”, ka thënë Morina për Ballkani.info.
Sipas tij, shuma prej 117 mijë euro e marrë si paradhënie është e barabartë me pagat neto për tre kuaj për këta punëtorë.
“Unë sot kam marrë vendim që punëtorëve të “privilegjuar” që kanë akontacione t’iu ndalen çdo muaj në pagë një pjesë e mjeteve për të nisur kështu kthimin e borxhit. Perveç njësisë së Mitrovicës ku shumica e akontacioneve është 117 mije euro, edhe në njësinë e Vushtrrisë shuma e akontacioneve arrin në vlerën prej 41 mijë euro”, ka thënë Morina.
Ballkani.info ka raportuar dje se Kompania për menaxhimin e mbeturinave për regjionin e Mitrovicës “Uniteti” është në gjendje të rëndë financiare për shkak të keqmenaxhimit dhe keqpërdorimeve të bëra për shumë vite.
Kjo kompani edhe pse është e destinuar për menaxhimin e mbeturinave, rreth 40% e të punësuarve i përkasin sektorit të administratës dhe kanë rroga dy-tri herë më të larta se punëtorët e terrenit.
Punëtorëve shpeshherë u janë vonuar pagat, për shkak se menaxhmenti i kaluar ka lejuar ‘akontacione’/paradhënie për disa punëtorë të peivilegjuar të kompanisë, raporton Ballkani.info
Portali ka arritur të siguroj listën e ‘akontacioneve’, ku shihet se disa punëtorë i kanë obligime 117 mijë euro vetëm njësisë së Mitrovicës, shumë e barabartë me rrogat neto për tre muaj për gjithë punëtorët.
Listës së tyre i prinë ish Kryeshefi Ekzekutiv i kompanisë, Skender Tahiraj, i cili ka marrë rreth 35 mijë euro ‘akontacion’ nga kompani, që është shuma e rrogave neto për një muaj për 150 punëtorët e njësisë së Mitrovicës dhe punëtorët e administratës qendrore të kompanisë.
Vendin e dytë e zë kryepunëtori Sami Aliu me 10 mijë e 600 euro, i pasuar nga Bedri Bajrami me 8 730 euro, dhe Haki Peci e Fitim Ibrahimi me nga 7 mijë euro. /Ballkani.info/






