Dikur nuk u bënte përshtypje as trajnerëve kosovarë, tash do ta vesh fanellën e Dinamo Zagrebit – historia interesante e Lirim Kastratit

Lirim Kastrati është një nga talentët kosovar më me prespektivë në Evropë.

Kastrati, futbollisti aktual i Lokomotivës së Zagrebit dhe i Kombëtares së Kosovës, ka sakrifikuar shumë për të arritur në nivel që është tani.

Në 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës (17 shkurt), ai zyrtarizoi kalimin te gjiganti kroat Dinamo Zagreb, ku do të transferohet gjatë verës. Data 17 shkurt ka kuptim të madh për të, pasi në vitin 2018 debutoi me fanellën e Lokomotivës.

Por rrugëtimi i yllit të ri kosovar nuk ishte aspak i lehtë dhe në të ngërthen disa histori mjaft interesante.

21-vjeçari u largua nga familja në moshën 15 vjeçare për të ndjekur ëndrrën për t’u bërë një futbollist i madh.

Kastrati, i lindur në fshatin Hogosht të Kamenicës karrierën e ka nisur te KF Kika, ndërsa tre vite ka qenë edhe pjesë e Dardanës, si dhe një vit tjetër ishte pjesë e shkollës Arsenali që gjendet në Prishtinë.

Pas një periudhe të suksesshme te shkolla e futbollit Arsenali, ai arrin që të kalojë në kampionatin shqiptar ku transferohet fillimisht te shkolla e futbollit ‘Loro Boriçi’ e më pas te Shkëndija e Tiranës, ku qëndron për dy vite e gjysmë dhe më pas bën hapin gjigant në drejtim të Lokomotivës së Zagrebit, ekipi ‘satelitë’ i Dinamos.

Por, si rodhën gjërat që Lirimi për një kohë të shkurtër të depërtojë nga Kosova në Shqipëri e më pas në Kroaci?

Jemi mësuar shumë shpesh të dëgjojmë rrëfime nga më të ndryshmet për futbollistët e njohur dhe që kishin një fëmijëri tejet të vështirë. Shumica prej tyre qëndruan një kohë të gjatë larg familjeve për të arritur qëllimet që ia kishin vënë vetes.

E fatin e njëjtë e kishte edhe Lirim Kastrati, i cili në moshën 15 vjeçare u largua nga familja me dëshirën dhe ëndrrën për t’u bërë futbollist profesionist.

Ai më parë kishte rrëfyer shumçka rreth karrierës së tij si dhe ka treguar vështirësitë që kishte kur u largua nga familja në moshën 15 vjeçare.

“Ka qenë shumë e vështirë pasi në moshën 15 vjeçare jam larguar nga familja, kam jetuar në Shqipëri rreth 2 vite e gjysmë pa familje dhe tani jetoj në Zagreb që 3 vjet, edhe atje pa familje është shumë vështirë, por kur e ke një synim për të arritur dicka është më e lehtë,” ka thënë Kastrati në një intervistë për Radio Prishtinën.

Lajmi.net ka kontaktuar trajnerin që ka punuar me Lirimin gjatë kohës sa ishte ky i fundit pjesë e shkollës së futbollit ‘Arsenal’, gjatë sezonit 2013/14.

Huar Morina, tekniku që ka punuar me futbollistin kosovar, ka vetëm fjalë lavdëruese për Kastratin, teksa tregoi detajisht ardhjen e tij te shkolla e futbollit ku Morina është trajner.

”Lirimi është i Hogoshtit, ka qenë lojtar i Dardanës, në një moment dikush prej shokëve të babës i ka thanë që djali po luan futboll mirë dhe duhesh me avancu – edhe ai e ka njoftë trajnerin Sami Sërmaxhaj, të cilit i ka thanë gjema një shkollë futbolli në të cilin punohet mirë për me avancu përpara. Samia e ka preferu shkollën tonë, pra shkollën e futbollit ‘’Arsenal’’.

Trajneri i njohur prishtinas më tej zbuloi se si Lirimi nuk iu bëri fare përshtypje në fillim, por në një lojë miqësore ai u tregua spektakolar.

”Na kanë thirr më pas në telefon, na tregun që po dojnë me e pru djalin në shkollën tonë. Ka qenë ditë e mërkurë kur ka ardh, kemi pasë stërvitje me topa dhe nuk na la përshtypje. Ditën e dytë nisi ngapak, por jo mjaftueshëm. Ditën e shtunë kishim një lojë miqësore në Vushtrri U15 dhe hajt thamë ta marrim Lirimin, t’ia bojmë një test me këqyr çfarë lojtari është. Edhe filluam lojën me U15, ndërsa Lirimi ishte rezervë, as nuk kishte fanella se veç sa erdh. U kry pjesa e parë, filloi pjesa e dytë dhe thashë hajt ta fusim këtë djalin pak. I thashë qysh e ki emrin tha Lirim, i thashë hajde afrohu këtu dhe ia sigurova fanellat, e pyeta çka luan ti tha luaj sulmues krahu. Futu pra në atë rol i thashë. Në momentin e parë që e ka prek topin në mesfushë, ai ka kalu pesë apo gjashtë lojtarë të Vushtrrisë dhe ka shënuar gol. Prapë ka fillu loja, prapë ka vepru njëjtë dhe ka shënu gol. Pas pesë minutave, sërish veprim i njëjtë duke shënuar golin e tretë”, tregonte për lajmi.net me shumë entuziazëm trajneri që kishte punuar me Kastratin në moshën e hershme.

”Përfundoi loja, krejt thonin kush është ky lojtar? Nga erdh ky?”.

”Pasi hypëm në kombibus, e pyta Lirimin thashë a lujte? Tha po trajner, a nuk e pe që dhashë tre gola a? Thashë jo nuk të kam vërejt”, tha Huari, i cili thotë se sot e asaj dite kjo batutë përcjell çdo bisedë mes tij dhe Lirimit.

”Vazhdoi stërvitjen dhe e menduam që ky djalë ka nevojë për avancim. Ia dhamë mundësinë duke e çuar në shkollën e futbollit ‘Loro Boriçi’ në Tiranë, ku stërviti edhe më shumë e më pas kaloi në Kroaci”.

Por si e vlerëson ai kalimin e anësorit të talentuar në Kroaci?

”Lirimi ka bo mirë që ka shku në Dinamo Zagreb, sepse Dinamo është një klub i madh dhe besoj do të vlerësohet më shumë si lojtar. Është një hap i qëlluar për të arritur në majat e futbollit evropian”, shtoi më tej trajneri Huar Morina për lajmi.net.

“Kur kam qenë pjesë e Arsenalit unë çdo ditë kam bërë 5 orë me autobus rrugë nga Hogoshti deri në Prishtinë vetëm nga vullneti i madh që kam pasur për të bërë stërvitje, tash të rinjtë e kanë 5 minuta afër fushën dhe nuk dëshirojnë me shku në stërvitje, ata duhet t’ia lënë vetit një synim dhe të punojnë për një qëllim. Nuk bën me u dorëzu”, rrëfente dikur Lirimi vështirësitë që e karakterizuan karrierën e tij.

Si arriti që nga Shqipëria të transferohej te Lokomotiva e Zagrebit e më pas te Dinamo?

Lirim Kastrati gjatë periudhës sa ishte në Shqipëri kishte qëndruar në një konviktë si dhe kishte përfunduar shkollimin atje, por kjo veç sa e motivoi për të arritur më shumë.

Shkëndija kishte një ndeshje miqësore me Dritën e Gjilanit dhe në atë takim Lirimi kishte shënuar hat-trik, ashtu siç bënte në miqësoren ndaj Vushtrrisë, dhe videon me golat e kishte vendosur në youtube, ku më pas kishin ardhur oferta të ndryshme nga shumë meanxherë të futbollit.

20 vjeçari i kishte bindur drejtuesit e Lokomotivës që të nënshkruanin me të pas vetëm një seance stërvitore.

“Kemi pas një ndeshje miqësore, Shkëndija me Dritën dhe pastaj kam bërë një video kam shënuar 3 gola dhe kam nxjerrë atë video në Youtube dhe më pas më kanë kontaktuar shumë menaxhera. Më pas kam shkuar në Lokomotivë të Zagrebit ku pas vetëm një ditë stërvitje kam nënshkruar kontratë”.

I lindur gjatë kohës së luftës në Kosovës, Lirimi nga vera do ta vesh fanellën e Dinamo Zagrebit – si rrugëdalje për të dalë në top klubet evropiane, ashtu siç bëri mbrojtësi Amir Rrahmani i cili do të luajë te Napoli nga vera.

Ai ka qenë nën vëzhgim të drejtuesve të kampionit të shumëfishtë kroat që nga sezoni i kaluar. Dinamo pagoi 1.8 milionë euro për t’i siguruar shërbimet e talentit nga Hogoshti.

Karriera e tij me Kombëtaren e Kosovës

Lirimi mbron me krenari edhe fanellën e Kombëtares së Kosovës U21 derisa ka qenë i ftuar tre herë edhe në ekipin senior dardan.

21-vjeçari kishte refuzuar oferta të kombëtareve të mëdha, për ta përfaqësuar denjësisht vendin e tij.

Ai ka realizuar shtatë paraqitje për Kosovën U21, duke shënuar një gol dhe ka përfaqësuar pesë herë Kosovën U19.

Lirim Kastrati kishte një porosi për të rinjtë që ëndërrohen të bëhen futbollistë të mëdhenj.

“Kur kam mujt unë nga Hogoshti me depërtu në Zagreb tash e kanë edhe më lehtë. Ata duhet t’ia lënë vetit një synim dhe të punojnë për një qëllim. Nuk bën me u dorëzu”, ishte këshilla e tij për të futbollistët e rinj.