Historia e zhdukjes së ish talentit të Milanit, Hachim Mastour, u mbyll brenda pak orësh, pasi që futbollisti maroken u gjet në Milan, ku kishte shkuar pa e lajmëruar klubin e tij, Lamina.

Mastour e kishte filluar karrierën e tij duke publikuar video në Youtube, ku ai shihej duke bërë trike dhe driblime të ndryshme me top. Ai arriti që përmes këtyre videove ta merrte vëmendjen e klubeve si Barcelona, Manchester City e Real Madridi.

Në fund, ai vendosi të transferohej te Milani, kur ishte vetëm 14-vjeçar. Ai ishte lojtar i klubit kuqezi deri në vitin 2018, mirëpo nuk debutoi asnjëherë. Ai e kishte zënë një vend në bankën rezervë vetëm një herë në Serie A.

Ai ishte huazuar në Malaga dhe Zwolle, mirëpo nuk luajti shumë as aty. Në shtator, ai u transferua te klubi grek, Lamina. Sipas mediave italiane, Lamina nuk e kishte parë lojtarin që nga janari dhe së fundi e kishte lajmëruar atë në polici si të zhdukur, si dhe e kishte kontaktuar FIFA-n.

Megjithatë, sipas gazetës italiane, Gazzetta dello Sport, 20-vjeçari është kthyer në Milan, kur është duke marrë një trajtim për një lëndim. Ai ishte kthyer në Itali pa lejen e klubit të tij, në të cilin nuk dëshiron të kthehet më.