Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pas ‘Sofalisë’, është takuar me banorët e lagjes “Ulpiana” në kryeqytet. Gjatë takimit, i pari i kryeqytetit ka prezantuar projektet e realizuara në mandatin e parë, duke vënë theksin te digjitalizimi i parkingjeve, mësimi tërëditor, tabelat digjitale në shkolla e modernizimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare.
Rama ka publikuar një video në rrjetin social Facebook nga ky takim. “Jam sonte këtu, në lagjen me zemër të madhe. Lagjen Ulpiana. Këtu për 4 vite mandat kemi realizuar shumë projekte të rëndësishme duke filluar nga infrastruktura, ndriçimi publik, mësimi tërëditor, tabelat digjitale e modernizimi i QMF-së”, ka thënë Rama.
Ai u ka premtuar banorëve të “Ulpianës” se kryeqyteti do të vazhdojë të punojë për përmirësimin e jetesës së tyre. “Por, në mandatin e ardhshëm, do të punojmë me intensitet edhe më të lartë në kërkesat e juaja, të cilat i dëgjova sonte nga ju. Kryeqyteti mbetet i përkushtuar për përmirësimin e jetesës suaj. Prandaj, do të jem gjithmonë afër jush! Ju dua!”, ka thënë Përparim Rama.







