Digjet jahti i Zvonko Veselinoviqit në Mal të Zi

Një jaht me emrin “Sara”, i cili u dëmtua nga një zjarr mbrëmë në portin e Navaras në Mal të Zi, dikur ishte i Svetozar Maroviqit, ish-president i Serbisë dhe Malit të Zi.

Por siç merr vesh mediumi serb Nova.rs, jahtin e përmendur, nga Maroviq e ka blerë Zvonko Veselinoviq dhe i ka ndryshuar emrin.

Jahti i Maroviqit u quajt “Kenzo” dhe për të kishte disa mosmarrëveshje.

Sipas mediumit serb, padia mes kompanisë austriake “Heta Leasing” dhe Svetozar e Milosh Maroviq në vitin 2015 kishte të bënte me arkëtimin e 9.980.076 eurove, sepse Maroviqët garantonin se do të shlyhej kredia e dhënë nga “Hypo Leasing” e atëhershme për kompaninë offshore “Galaxy”.

Dhe me ato para u ndërtua jahti “Kenco”, shkruan tutje mediumi në fjalë.

Media serbe vë në pah faktin se pagesa e këstit u pezullua shpejt dhe më pas jahti u zhduk nga marina e Budvës.

Ai është rikthyer së fundmi, me emrin “Sara”, tashmë në pronësi të biznesmenit kontrovers Zvonko Veselinoviq.

Ndryshe, bëhet fjalë për njeriun të cilit Shtetet e Bashkuara të Amerikës i vendosën sanksione bashkë me dhjetëra individëve dhe subjekteve në të gjithë Evropën dhe hemisferën perëndimore, duke shënjestëruar një grup të krimit të organizuar me seli në veriun e Kosovës.