PSD

Dialogu me Serbinë, PSD: Kuvendi t’i caktojë premisat për ekipin negociues

Kryetari dhe anëtari i kryesisë së Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, dhe Belgzim Kamberi kanë pritur sot në Prishtinë, Drejtoreshën për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, Florence Mangin, zyrtaren përgjegjëse për Republikën e Kosovës në Zyrën për Ballkan të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës Fanny Sebba, zyrtarin nga Zyrja Politike Timothée Barbier dhe ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, Didier Chabert, ka njoftuar PSD-ja përmes një komunikate.

Marrëdhëniet midis Kosovës dhe Francës, zhvillimet politike në vend, e me theks të veçantë dialogu me Serbinë, ishin temat qendrore të takimit, njofton kumtesa, përcjell lajmi.net.

Duke falënderuar autoritetet franceze për mbështetjen e vazhdueshme në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, kryetari Shpend Ahmeti shprehu qëndrimin e Partisë Socialdemokrate, se Kuvendi i Republikës duhet të jetë bartës i dialogut me Serbinë, prej ku duhet të burojë platforma shtetërore, ekipi negociues dhe komision mbikëqyrës.

Po ashtu në njoftim thuhet se kreu i PSD-së ritheksoi se Presidenti Hashim Thaçi nuk ka legjitimitet për t’i drejtuar bisedimet në emër të Kosovës, e se Kuvendi i Republikës duhet t’i përcaktojë premisat mbi të cilat do të funksiononte ekipi negociues dhe parimet mbi të cilat do të negociohej një marrëveshje eventuale me Serbinë, thuhet më tej në komunikatë.

Duke e veçuar rëndësinë e perspektivës evropiane për rajonin, Ahmeti kërkoi nga shteti francez mbështetje për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

Zyrtarët e Francës shprehën besimin e tyre që partitë politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, do ta gjejnë së shpejti një zgjidhje të përbashkët për të ecur tutje në dialogun me Serbinë, në funksion të marrëveshjes Kosovë-Serbi. Diplomatët francezë veçuan po ashtu nevojën për reformën në drejtësi, e sidomos miratimin dhe zbatimin e Ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.