Fitorja ndaj CSKA

Di Franceso kërkon më shumë nga Dzeko dhe e gjithë skuadra e Romës

Edin Dzeko kishte një paraqitje të dobët mbrëmë në fitoren 1-2 të Romës përballë CSKA Moscow, teksa trajneri i “Giallorosove”, Eusebio Di Francesco ka kërkuar më shumë nga e gjithë skuadra.

Romës iu deshën golat e Manolas dhe Pellegrinit për të kaluar skuadrën ruse, ndërsa sulmuesi boshnjak goditi vetëm njëherë drejt portës nga 5 tentime.

Di Francesco beson se Roma duhet të kishte shënuar më shumë gola, por për këtë gjë e fajëson të gjithë skuadrën dhe jo vetëm Dzekon.

“Edin gjithmonë mund të bëjë më shumë sepse është shumë i rrezikshëm. Kishte situata kur skuadra mund ta shërbente më mirë atë. Ndonjëherë në vend se të godasim drejt portës zgjedhim të pasojmë. Duhet të përmirësohemi në këtë aspekt, por ne kemi një skuadër të re që iu nevojitet përvoja. Është një rezulat i madh për ne por mund të kishim bërë më mirë në fund. Ne kemi potencial të madh dhe nuk duhet të vetkënaqemi dhe të na ndihmojë edhe fati”, deklaroi Di Francesco.

Roma kryeson grupin G me 9 pikë aq sa ka edhe Real Madridi, ndërsa CSKA Moscow ka 4 pikë në pozitën e 3-të.